Rama po e çon Shqipërinë në faliment

Rama po e çon Shqipërinë në faliment

Qeveria shqiptare i ka thyer të gjitha rekordet e zeza që mund të arrijë një kabinet qeverisës. Vitin e shkuar deri në këtë periudhë të vitit që jemi, ajo nuk arriti të hapë asnjë vend të ri për gjysmën e popullsisë së aftë për punë, e cila është dëshpërimisht duke kërkuar azil në shtetet perëndimore. Sipas Raportit vjetor 2017 të Institutit Amerikan të Teknologjisë IBM, Serbia është e para në botë për numrin e vendeve të punës së krijuara nga investimet e huaja në raport me popullsinë dhe pas saj vijnë Maqedonia, Kroacia dhe Rumania. Këto shtete kanë shfrytëzuar avantazhet e politikave që kanë ndjekur në tre-katër vitet e fundit, duke krijuar mijëra vende të reja pune, dhe duke qenë të preferuara për investitorët e huaj.

Të vetmin tregues pozitiv që arriti Shqipëria me rekordin e Investimeve të Huaja Direkte në vitin 2016, me gati 1 miliard euro, Rama ia detyron paraardhësit të tij, Berisha, sepse janë investimet e gazsjellësit TAP, firmosur në kohën e qeverisjes së PD-së, që filluan në vitin 2016. Por pjesën më të madhe të investimit të gazsjellësit e zë vlera e tubacioneve të gazit. Ky investim, për mënyrën si është negociuar dhe realizuar, nuk jep vlerë të lartë të shtuar në ekonomi dhe as vende pune të qëndrueshme.

ZGJIDHJA ka denoncuar qeverisjen totalisht të dështuar të Ramës. Ai është kryeministri më i paaftë i tranzicionit 26-vjeçar të Shqipërisë dhe politikani më i turpshëm në historinë e shtetit shqiptar, njeriu që rrënoi dhe çnderoi si kurrë më parë emrin e shtetit dhe të kombit shqiptar, përfaqësuesi më i spikatur i korrupsionit dhe oligarkisë së tij, njeriu që kapi dhe shkatërroi Partinë Socialiste, njeriu që kapi qeverisjen dhe institucionet e shtetit, armik i betuar i lirisë, zgjedhjeve dhe demokracisë kushtetuese, autokrati më i diskredituar dhe i fundit në ish-vendet komuniste të Europës Lindore. Rrëzimi dhe largimi i tij nga pushteti do të shënojë edhe përmbysjen historike të tiranisë së mjerimit, hashashit dhe krimit të organizuar në Shqipëri.

Edi Rama është një njeri pa vizion, pa formim dhe pa kulturë shtetari. Ai e varfëroi dhe e shtypi pa mëshirë popullin e varfër të Shqipërisë, e zhyti atë në errësirë dhe depresion, i vrau shpresën e besimin, e mashtroi dhe e manipuloi me çdo mjet dhe e detyroi të largohet nga Shqipëria për të kërkuar bukë, strehim dhe punë në vendet e Perëndimit.

Nën qeverisjen e këtij kryeministri, për herë të parë në historinë e popullit shqiptar, pas pak vitesh, pensionistët mjeranë dhe familjet që jetojnë me ndihmë ekonomike nga 15 deri në 40 dollarë në muaj, do të përbëjnë shumicën dërrmuese të popullsisë në vendin tonë. Rama po e falimenton shtetin. Nuk është e largët dita kur nuk do të mund të paguhen dot pensionet, ndihma ekonomike, rrogat e policëve, ushtarakëve, infermierëve, mësuesve etj. Në vend që të qeverisë punët dhe interesat e Shqipërisë, Rama ngre kurthe, shpifje e intriga, blen e shantazhon, përçan e korrupton, fyen e sulmon këdo dhe vetëm për interesat e pushtetit të tij personal. Në shërbim të këtyre interesave dhe veseve të tij më të ulëta ka vënë edhe agjencitë e shërbimet shtetërore e diplomatike brenda e jashtë vendit dhe kontaktet me diplomatët e huaj në Tiranë.

Së bashku me liritë politike, Rama shkatërroi edhe liritë ekonomike. Tenderat dhe konçensionet e rëndësishëm i jep stafi i tij i ngushtë në kryeministri, tenderat më të vegjël i shpërndajnë kryetarët e bashkive dhe ministrat. Askush nuk mund të fitojë punë me ndershmëri e me garë të hapur në Shqipëri. Për të fituar një tender, sipërmarrësit duhet të parapaguajnë sekserët e pushtetit me 20 për qind të vlerës. Edhe një investitor i huaj nuk investon dot po nuk i pagoi ministrave të paktën 20 për qind të vlerës së investimit. Prandaj investitorët ikin nga Shqipëria për në Maqedoni, Serbi e Mal të Zi.

ZGJIDHJA denoncoi qeverinë gjatë Samitit të Triestes, sepse Shqipëria nuk prezantoi asnjë projekt dhe financimet e BE-së prej 550 milionë eurosh, i përfituan projektet zhvilluese të hartuara nga qeveritë e Serbisë, Maqedonisë dhe të Bosnje-Hercegovinës. Këto qeveri kanë punuar për qëndrueshmërinë e investimeve të huaja dhe hapjen e vendeve të reja të punës. Ato hartuan dhe zbatuan me sukses projekte në industrinë e prodhimit të makinave, asaj përpunuese, turizmit, infrastrukturës dhe energjetikës.

Ndërsa kryeministri i Shqipërisë bën vëmendje vetëm për atletet e bardha dhe turpet e qeverisjes së tij të mbushur me tutkunë, të korruptuar dhe servila, duke e lënë Shqipërinë pa investime dhe pa projekte dhe duke hyrë në vitin e pestë të një vendi, që po zhytet thellë e më thellë në një krizë ekzistenciale.

ZGJIDHJA është e bindur se me Ramën kryeministër, Shqipëria do të vuajë nga mungesa e vendeve të reja të punës dhe shkatërrimi i ekonomisë kombëtare, ndaj u bën thirrje të gjithë shqiptarëve që t’i bashkohen programit tonë të ringritjes për ta hedhur në koshin e plehrave të historisë tragjike të Shqipërisë Rilindjen dhe projektin e saj shkatërrimtar për vendin.

ZGJIDHJA e ka bërë të qartë më shumë se një herë se ajo është përgatitur që të udhëheqë luftën për të përmbysur kastën sunduese të tranzicionit dhe këtë elitë politike të korruptuar dhe të inkriminuar deri në palcë. Rilindja, PD-ja dhe partitë e tjera parlamentare janë njëra më e keqe se tjetra, njëra më fajtore dhe mëkatare se tjetra për gjithë këtë varfëri, mjerim, papunësi, padrejtësi dhe pasiguri që vuan populli shqiptar, njëra më e kapur dhe e inkriminuar se tjetra. Vetëm me ZGJIDHJA-n do ta kthejmë Shqipërinë në tokën e lirisë, drejtësisë, shpresës dhe mundësisë, do të ngrejmë një ekonomi kombëtare që të rritet me dy shifra në vit dhe të mundet t’i punësojë e mbajë të rinjtë e të rejat në vend, një ekonomi me aftësi konkurruese në rajon e më gjerë dhe atraktive për investimet dhe investitorët e huaj dhe vendas; do të ngremë reputacionin e shtetit dhe të qeverisë tonë, do ta bëjmë Shqipërinë një aleate dhe partnere të denjë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Europian dhe vendeve të tjera mike në botë, ndërsa shtetin tonë do ta bëjmë aleat të pazëvendësueshëm të shqiptarëve që jetojnë brenda dhe jashtë kufive tanë shtetërorë. ZGJIDHJA është e vetmja alternativë politike e së ardhmes në Shqipëri!

#ZgjidhjaPërShqipërinë

0
Rilindja t’i japë tekstet shkollore falas, PD të kursejë “lotët e krokodilit”

Rilindja t’i japë tekstet shkollore falas, PD të kursejë “lotët e krokodilit”

Dhjetëra mijëra prindër dhe nxënës të arsimit parauniversitar po përballen prej 25 gushtit me radhë të gjata për të blerë tekstet shkollore. Nga Tirana në periferitë e vendit, Ministria e Arsimit ka hapur shumë pak pika të autorizuara për shitjen e teksteve, duke i bërë një nisje të shëmtuar vitit të ri shkollor 2017-2018.

ZGJIDHJA i bën thirrje ministrisë së Arsimit që të reagojë në kohë dhe të bëjë të mundur, që shpërndarja e teksteve në shkolla, të jetë një festë për prindërit dhe nxënësit dhe jo një vuajtje e pamundësi për ta.

ZGJIDHJA e vlerëson të dhimbshëm faktin se Shqipëria është i vetmi vend në rajon ku tekstet shkollore shiten, në vend që të jepen falas.

Këshillojmë drejtuesit më të lartë të PD-së, që të kursejnë “lotët e krokodilit” që po derdhin këto ditë për nxënësit dhe prindërit shqiptarë.

Për 13 vite në pushtet, PD-ja vetëm sa i shtrenjtoi tekstet për nxënësit e arsimit parauniversitar. Botimi dhe shpërndarja e teksteve u bë minierë ari për qeveritarët e saj dhe bizneset e lidhura me ta.

Futja e Altertekstit i bastardoi kurrikulat, u la hapësirë lloj-lloj teksteve shkollorë dhe jashtëshkollorë, aq sa gati çdo shkollë kishte tekstin e vet për çdo lëndë, me autorë dhe përmbajtje diletante, mbushur me pasaktësi dhe plot gabime. Kjo ishte një goditje e rëndë për kurrikulën shkollore. Heqja e Alertekstit ishte njëra prej punëve të pakta pozitive që bëri qeveria e Rilindjes më 2014-ën.

ZGJIDHJA mbështet propozimin që shpërndarja e teksteve shkollore për arsimin parauniversitar të bëhet falas për të gjithë nxënësit shqiptarë dhe tekstet shkollore të mos jenë burim pasurimi për shtëpitë botuese pas të cilave fshihen zyrtarët e lartë, që ndajnë mes tyre fondin 15 milionë dollarë.

ZGJIDHJA, gjithashtu, kërkon që të vijojë edhe më tej unifikimi i teksteve shkollore me Kosovën dhe të dyja shtetet bashkë të ndihmojnë me tekste dhe mjetet didaktike shkollat dhe gjuhën shqipe në Luginën e Preshevës, në Greqi, Itali dhe kudo ku ka shqiptarë që ata të mos i humbin gjuhën, historinë dhe traditat tona.

#ZgjidhjaPërShqiptarët

 

1
Edi Rama nxit dhunën ndaj mjekëve

Edi Rama nxit dhunën ndaj mjekëve

Parmbrëmë, në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”, në Tiranë, arriti në urgjencë një pacient me aortë të çarë. Mjekët e reanimuan dhe shpejtuan ta fusin në sallë, por i sëmuri nuk jetoi, si pasojë e hemoragjisë. Duke sqaruar e ngushëlluar familjarët për sa ndodhi, dy mjekët dhe infermierja u përballën me pëllëmbët, grushtat dhe shkelmat e familjarëve të viktimës.

Kryeministri thotë se mjekët janë të gjithë të korruptuar dhe nxit urrejtjen kolektive të njerëzve ndaj tyre. Situata për mjekët është bërë e padurueshme, të gjithë mendojnë si të ikin një orë e më parë nga Shqipëria. Dhe faktikisht të gjithë mjekët e aftë po ikin. Si do të ketë mjekësi ky vend pa mjekë dhe infermierë të aftë?

ZGJIDHJA ka denoncuar disa herë situatën e rëndë të mjekësisë tonë të shpartalluar. Kryeministri po e varros mjekësinë publike duke i hequr të gjitha financimet nga buxheti i shtetit dhe duke ja kaluar ato koncesionarëve privatë. Në katër vitet e shkuara drejtorët e spitaleve u zhveshën nga çdo mbështetje e kompetencë. Edhe rojet dhe infermierët vendosen apo pushohen nga lart dhe vetëm nëse paguajnë nën dorë ose kontribuojnë me vota për pushtetin e Rilindjes.

Rama ka urdhëruar dhe ka bërë vetë sa e sa emërime skandaloze njerëzish të korruptuar e të paaftë në poste kyçe të sistemit të mjekësisë. Ai ju bën gjyqin publik, i denigron, fyen, poshtëron e çnderon kolektivisht, në bllok e publikisht të gjithë menaxherët e spitaleve. Nuk gjykohet asnjë personalisht, në bazë të performancës e nga institucionet kompetente. Jo! Gjykohet e poshtërohet mjeku si profesion, gjykohet e poshtërohet drejtuesi i spitalit si funksion!

Rama nuk e bën këtë për të përmirësuar shëndetësinë. Ai kërkon të mashtrojë e manipulojë opinionin publik dhe qytetarët e këtij vendi se, demek, nuk është përgjegjësi kryesor për dështimin e plotë të sistemit shëndetësor në Shqipëri. Rama i ka katandisur spitalet në ditën e tyre më të errët. I ka mbushur të gjithë me profanët e Rilindjes! Çdo mjek dhe punonjës i denjë i shëndetësisë publike ndihet i shitur, i prerë në besë dhe i tradhëtuar nga ky kryeministër. Verbëria dhe papërgjegjshmëria e tij bën që mjekët, infermierët dhe specialistët e denjë të mjekësisë të jenë të pashpërblyer, të parespektuar, të pambrojtur dhe të rrezikuar më shumë se kurrë.

ZGJIDHJA e di se ka edhe mjekë e specialistë të cilët kanë marrë jetë njerëzish me inkompetencën apo papërgjegjshmërinë e tyre, siç ndodh që vdesin njerëz kudo në botën ku operon një mjekësi super e zhvilluar dhe kjo nuk do të thotë se, në çdo rast, fajtorë janë domosdoshmërisht mjekët! Spitalet tona janë të mjeruara, pa mjedise, medikamente, paisje, teknologji, personel të aftë e sisteme menaxhimi, standarde, procedura e manuale rigoroze. Farmacitë, në shumicën e tyre, janë rrafsh me ilaçe të skaduara dhe me farmacistë e falsifikatorë që nuk duan tja dinë as për recetat e mjekëve dhe as për shëndetin e njerëzve. Shqipëria ka edhe shumë mjekë e specialistë të nderuar që me humanizëm e përkushtim të thellë, kanë shërbyer popullin tonë, pavarësisht kushteve ekstremisht të pafavorshme në të cilat punojnë. Rastet e këqija nuk e bëjnë një shoqëri të emancipuar të paragjykojë apriori mjekët, dhe aq më keq të justifikojë akte dhune, fyerjeje dhe linçimi të tyre. Mjekët nuk mund të konsiderohen kriminelë se kështu i intereson kryeministrit. Qeveria është përgjegjëse të ngrejë një mjekësi të shëndetëshme e profesionale, pa mjekë e zyrtarë të paaftë dhe të papërgjegjshëm. Njerëzit e vëmendshëm e kuptojnë shumë mirë se dhunën, linçimin dhe mendësinë e vetgjyqësisë së njerëzve ndaj mjekëve e nxit personalisht Edi Rama me strategjitë e tij diabolike për tja u hedhur dështimin e politikave të tij, mjekëve dhe drejtuesve të spitaleve.

Të gjithë e kanë të freskët rastin e fletërrufesë vulgare të kryeministrit ndaj shkencëtarit dhe profesorit shqiptar me famë botërore, doktor Petrelës. Pasi e bëri këtë përmes një denoncuesi anonim, Rama “i lau duart” kur tha se nuk ishte Ai autori, por njerëzit që pagoi për t’i përgatitur raportet! Njësoj si në rastet e panumërta kur ai u vë në qafë njerëzve që i targeton si objektiv, shpifësit e shumtë e të paskrupullt që i paguan me para ose me tendera, koncesione, fusha kanabisi, privilegje, vende pune, leje e licenca etj.

ZGJIDHJA i kërkon kryeministrit të marrë përgjegjësitë dhe të garantojë sigurinë, dinjitetin dhe integritetin e njerëzve në krye të detyrës në përgjithësi dhe të bluzave të bardha në veçanti.

#ZgjidhjaPërShtetin

1
Në vend të letrës për mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të PS-së

Në vend të letrës për mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të PS-së

Koço Kokëdhima

Partia Socialiste do të mbledhë sot Asamblenë Kombëtare, për herë të parë pas zgjedhjeve të 25 qershorit 2017. Axhenda është e njohur dhe pa asnjë ndryshim nga mbledhjet e kaluara: hierarkët e emëruar nga kryetari i partisë do të flasin njëri pas tjetrit, për sukseset e timonierit të PS-së në katërvjeçarin e kaluar dhe në zgjedhjet parlamentare, për reformat që do të bëjnë në qeveri dhe në parti, për vlerësimet që u ka dhënë populli gjatë dëgjesave publike, ndërsa kryetari do të mbajë lëgjëratën e mbushur me hiperbola për fitoren e 74 mandateve, çfarë do të bëjë në mandatin e dytë si kryeministër dhe se kush do të jetë ekipi i tij qeverisës. Të gjitha bashkë do të jenë si copëza të puzzle-t që i garanton Shqipërisë vazhdimësinë e një lëngate pa fund.
Personalisht nuk pres asgjë të re nga ky takim i lartë politik, ashtu siç besoj se nuk e pret asnjë prej shqiptarëve, përjashtuar enturazhin e Edi Ramës, i cili do të shpërblehet me poste në qeverisje, drejtori, borde, me tendera dhe koncesione. Nuk kam pritur as nga mbledhjet e tjera të asamblesë apo të Kongresit, sepse nën drejtimin e Edi Ramës, forumet e partisë, debati dhe vendimmarrja kolegjiale kanë vdekur, mbledhjet e tyre janë formale, ndërsa vendimet i merr kryetari dhe rrethi i ngushtë i tij, pa pyetur për anëtarësinë e këtyre forumeve, pa le më për ata dhjetëra mijëra anëtarë dhe militantë të bazës.
Forumi i lartë i PS-së mblidhet plot dy muaj pas “fitores së Pirros” në zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit. Zgjedhjet e 25 qershorit ishin zgjedhje si ato të 26 majit, të realizuara me forma e mjete të tjera. Këto nuk ishin zgjedhje të lira e të ndershme. Sali Berisha dhe Edi Rama kanë shkatërruar zgjedhjet e lira në Shqipëri. Vendi ynë është i vetmi vend në botën pluraliste që nuk bën dot zgjedhje me standarde. Shqipëria është i vetmi vend në botë ku zgjedhjet i administrojnë dy partitë që kanë kapur shtetin. Zgjedhjet e 25 qershorit u manipuluan dhe u blenë masivisht me paratë e drogës dhe të korrupsionit. Gati 90 për qind e kutive të votimit që u hapën për rinumërim në Tiranë rezultuan të manipuluara. Në Vlorë dhe të paktën në një qark tjetër, komisionerët e PS dhe PD numëruan votat e PS-së për llogari të PD-së për një deputet sepse Rilindja kish mundur të blinte vota shumë më tepër se sa i duheshin! Pjesëmarrja në zgjedhje, me gjithë ultimatumet, presionin për të vajtur dhe votuar partinë në pushtet, ishte vetëm 46,6 për qind, shifra më e ulët e rregjistruar në zgjedhjet parlamentare të tranzicionit shqiptar dhe që nuk u arrit as më 29 qershor 1997, kur të shkoje për të votuar mund të merreshe peng nga bandat e armatosura apo të haje ndonjë plumb qorr. Rama, si Saliu, ka alergji e frikë nga zgjedhjet e lira. Ai ka mbetur i vetmi lider i korruptuar nga ish-vendet komuniste, që nuk lejon zgjedhje të lira e të ndershme në vendin e tij. Rama nuk ka për të thënë asnjë fjalë sot në Asamblenë e PS-së për këto plagë të sistemit zgjedhor në Shqipëri dhe për faktin se vendi ynë nuk mund ta përtërijë dot elitën politike përmes zgjedhjeve.
ZGJIDHJA i kishte parashikuar këto që ndodhën dhe u bëri thirrje shqiptarëve që ta refuzonin kastën sunduese politike të Shqipërisë duke bojkotuar zgjedhjet e 25 qershorit. Ata refuzuan me neveri votëbesimin për politikanë që kërkojnë pushtet vetëm për të grabitur pasuritë e vendit dhe për t’u pasuruar për vete për më shumë se 7 breza.
Një muaj përpara zgjedhjeve, Edi Rama mblodhi kongresin e PS-së. ZGJIDHJA kërkoi që ky kongres të zhvillohej mbi një platformë demokratizuese dhe jo për t’i thurur lavde e himne kryetarit. Në fakt ndodhi kjo e fundit dhe u votua en block lista e hartuar prej tij me kandidatët për deputetë. Kështu do të ndodhë edhe sot në këtë asamble. Anëtarët janë thirrur vetëm për të dëgjuar se çfarë lider i zoti, i lavdishëm, historik e i paparë në këto treva, është kryetari i tyre dhe për të votuar listën e pushtetarëve të rinj të nxirosur nëpër kulisat e pushtetit! Socialistët e thjeshtë nuk i ka pyetur kush se kë do të donin për kryeministër, për ministra, apo drejtorë të lartë. A i zgjodhën ata deputetët që kanë tashmë prej zgjedhjeve të 25 qershorit? Sigurisht që jo dhe as mos të shpresojnë se kjo do të ndodhë ndonjëherë, për sa kohë në krye të PS-së është Edi Rama. Ai vendos për ju se kë do të keni deputet, ministër, zv.ministër, kryetar bashkie, drejtor, anëtarë kryesie, kryetar partie në çdo nivel, anëtarë të forumeve qendrore e lokale, gjithçka. Ai do të vendosë, pas nisjes së reformës në drejtësi se kush do të jetë prokurori, gjyqtari, apo oficeri i policisë gjyqësore. Socialistët e bazës nuk ekzistojnë për të, ose më saktë ekzistojnë vetëm një herë në dy vjet që të venë dhe të votojnë me apo pahir listën e kandidatëve për deputetë apo kryetarë bashkish që ai e mbush me emrat e miqve dhe të partnerëve të tij në biznes.
Kështu edhe me listën e emrave të anëtarëve të kabinetit qeveritar që Rama do të çojë për votim në asamble. Nuk ka rëndësi e peshë në vetvete asnjë emër, burrë apo grua qoftë. Ata do të jenë në listën e tij, thjesht si emra të përzgjedhur prej tij, jo se kanë vlera e kontribute, por vetëm sepse janë eunukët e tij, servila e të kontrolluar që do të zbatojnë pa asnjë mëdyshje planin ogurzi për zhbërjen e Shqipërisë, braktisjen nga shqiptarët dhe krijimin e sulltanatit të sulltanit Edi Rama.
Ai e ka kthyer në plaçkën dhe pronën e tij Partinë Socialiste. Ajo tashmë nuk është më parti politike në kuptimin e standardeve, kulturës, qëllimeve, programit, organizimit; është thjesht ndërmarrja private e Edi Ramës dhe e familjes së tij. Në atë parti tashmë ka hapësirë e vënd vetëm për ata që punojnë për pushtetin e kryeministrit dhe të një grushti politikanësh të inkriminuar që janë rreth dhe në mbështetje të tij. Ajo parti nuk ka më asgjë socialiste dhe nuk respekton më asgjë nga trashëgimia e të majtës. Ajo tashmë përfaqëson e mbron oligarkinë e krimit, drogës dhe të korrupsionit. Edi Rama është kryeoligarku i Shqipërisë!
Dëgjesat publike, edhe pse me regji qendrore nga kryeministria, edhe pse të censuruara nga akuzat dhe zemërata popullore, treguan të vërtetën e dhimbshme: në katër vitet e shkuara shqiptarët nga çdo cep i vendit ishin të paqeverisur. Në vitin 2017, shqiptarët ende ëndërrojnë të fitojnë vende pune pa treguar teserën e partisë apo pa paguar rryshfetin për shefat, që në punësime të funksionojë meritokracia dhe jo nepotizmi dhe korrupsioni; ujë të pijshëm në banesat e tyre, energji elektrike, rrugë të shtruara, legalizim për shtëpinë e ndërtuar me paratë e fëmijëve në emigracion; shërbim shëndetësor njerëzor, që të mos japin shpirt si bagëtitë në duart e një mjekësie të shpartalluar; kanale vaditëse e mbështetje për prodhimet e tyre në fshat dhe mundësi që ato prodhime të tregtohen brenda dhe jashtë vendit; shërbime elementare dhe dinjitoze në zyrat e administratës së shtetit…
Rilindja i shtoi si asnjëherë më parë këto probleme, i bëri edhe më tragjike këto drama, shtoi kalvarin e ekzistencës, ndaj, vit pas vit, dhjetra mijëra shqiptarë u detyruan që të ikin nga vendi, duke kërkuar azil ekonomik, pra një vakt bukë, një strehë, punë, shkollim dhe kujdes shëndetësor në vendet e Europës Perëndimore, ku këto janë shërbime elementare për qeniet njerëzore dhe jo dhurata të qeverisë, siç i trajton Edi Rama.
Ky katërvjeçar nuk do të jetë më i mirë se ai që shkoi për shqiptarët. Asnjë nuk i beson përrallës së tepsisë dhe timonit, të gjithat për vete, sepse atë nuk e beson as vetë timonieri me brekushe dhe atlete. Përkundrazi, e gjithë qeverisja do të jetë si shëndetësia falas e katër viteve të shkuara, e gjitha me koncesion, luks për oligarkët dhe mortje për shqiptarët, apo si kanabizimi i vendit më 2016-ën, me urdhër dhe dirigjim nga kupola qeverisëse, për të krijuar atë paranë e zezë, të madhe e të gjithëfuqishme, që blen gjithçka në këtë vend, dhe mbi të gjitha votat për pushtetin.
ZGJIDHJA ka denoncuar se, gjatë këtij mandati të ri qeverisës të Edi Ramës, do shohim sa e sa gjyqe dhe poshtërime publike që kryeministri u bën në bllok dhe kolektivisht drejtuesve të administratës shtetërore të çdo sektori sepse ai vuan nga frika dhe nga sindroma e Pons Pilatit për larjen e duarve pas çdo krimi që kryen kundër popullit dhe shtetit shqiptar! Rama do të shpjerë deri në fund shpërbërjen e institucioneve, diskreditimin e tyre dhe rrënimin përfundimtar të kultit dhe besimit për shtetin shqiptar!
ZGJIDHJA paralajmëron falimentimin e shtetit dhe të buxhetit në vitet që vijnë nëse do të ecet me mendtë e Edi Ramës. Tani, Ai po merr me shpejtësi 1 miliard euro borxhe të reja dhe të fshehura për buxhetin e shtetit, që t’ua japë miqve e partnerëve të tij pa gara e në formën e koncesioneve, deri sa ta çojë këtë vend në faliment të plotë e në paaftësi të paguajë pensionet, ndihmën ekonomike dhe rrogat e policëve e të punonjësve të tjerë të shtetit.
Mandati i dytë për Rilindjen do të jetë një fatkeqësi për shqiptarët, jo pse kështu ka ndodhur me çdo qeveri të mbingopur nga pushteti, por për faktin se qeverisja e mandatit të dytë, ashtu si paraardhësja, nuk ka një program, nuk ka një strategji, nuk parasheh se çfarë do të ndodhë me ekonominë, si ta nxjerrë vendin nga mjerimi, si ta bëjë joshëse për investime e huaja aq të domosdoshme për ekonominë, si ta shndërrojë vendin nga një eksportues krimi, truri dhe krahu pune në atdheun që duan të gjithë shqiptarët. Është e kotë t’ia kërkojmë Edi Ramës këto, sepse ai nuk merr vesh nga këto punë. Ai është megaloman, arrogant dhe i paaftë. Ai ka vetëm një plan për Shqipërinë dhe shqiptarët: vazhdimësinë e lëngatës së tranzicionit pa fund.

1
Kryedelenxhiu i diplomacisë së “vrimës në ujë”

Kryedelenxhiu i diplomacisë së “vrimës në ujë”

Kryeministri i telendisi përfaqësuesit diplomatikë të Shqipërisë nëpër botë. I përbuzi ata, i etiketoi “delenxhinj”, “të leshtë”, “të avashtë”, që kishin bërë “një vrimë në ujë” dhe i paralajmëroi se edhe do t’i heqë nga shërbimi. Tërbimi i kryeministrit, në një takim të përvitshëm, tregon se në çfarë derexheje ka përfunduar diplomacia e Rilindjes dhe qeverisja e saj. Shërbimi ynë diplomatik, në përgjithësi, nuk e përfaqëson si duhet Shqipërinë dhe nuk i mbron shtetasit shqiptarë apo emigrantët tanë nëpër botë, përpiqet t’i zhvasë ata edhe për shërbimet më elementare konsullore, nuk ka negociuar dhe nuk ka sjellë asnjë investim të huaj, sado të vogël, në Shqipëri.

Edi Rama, për katër vite, i harroi në sirtar prioritetet e qeverisë së tij për diplomacinë ekonomike, marrëdhëniet e ngushta me vendet fqinje, partneritetin strategjik me SHBA-të dhe BE-në, mbështetjen e Kosovës dhe të shqiptarëve kudo që janë.

Edi Rama e rrënoi, përtej çdo imagjinate, pozitën dhe reputacionin e shtetit shqiptar në arenën ndërkombëtare. Përhapi nam të zi Shqipërisë në çdo aspekt e në çdo cep të botës. Ai u diskreditua si një karagjoz e sharlatan i pashoq edhe në politikën e jashtme. Do të mbahet mend edhe për atletet e bardha, edhe si gaztori i Ballkanit! Në mjediset dhe takimet ndërkombëtare politike e diplomatike, kryeministri ynë inferior dhe i paaftë, i argëton me barcaleta udhëheqësit e shteteve mike, meqenëse nuk është i zoti të bëjë asnjë punë me ta në dobi të Shqipërisë.

Marrëdhëniet me Greqinë, arritën në pikën më të ulët, edhe pse ajo është partnerja kryesore ekonomike e Shqipërisë dhe se atje jetojnë dhe punojnë rreth 1 milion shqiptarë.

Nën qeverisjen e Ramës, procesi i integrimit të Shqipërisë në BE ka ndalur dhe tani në vend të anëtarësimit të afërt, është në diskutim lëvizja pa viza në hapësirën Shengen, sepse vendet europiane janë tmerruar prej një qeverie që eksporton vetëm kanabis, azilkërkues, prostitucion dhe krim. Shqipërisë i është shtyrë për në “kalendat greke” procesi i negociatave për anëtarësim, duke mbetur shumë prapa Serbisë dhe Malit të Zi.

Sjellja papërgjegjshme e Edi Ramës ndaj Presidentit Amerikan, Donald Trump, gjatë kohës kur garonte për në Shtëpinë e Bardhë, e ka vënë në pikëpyetje mbështetjen amerikane për Shqipërinë, të paktën përkohësisht.

Shërbimi diplomatik patjetër që duhet të punojë për rritjen e investimeve të huaja në Shqipëri dhe për rritjen e përfitimeve të Shqipërisë nga shkëmbimet ekonomike e tregtare me vendet e tjera. Por, njëkohësisht, shërbimi diplomatik nuk mund të bëhet përgjegjës në bllok për paaftësinë dhe dështimin e plotë të qeverisë për të përmirësuar gjendjen ekonomike të shqiptarëve dhe klimën për investimet e huaja private në ekonomi. Kush ambasador i veçantë mund të shpallet fajtor për politikat dhe qeverisjen totalisht të dështuar të këtij kryeministri?

Kryeministri nuk mund të mbulojë korrupsionin endemik të qeverisë së tij me dobësitë e shërbimit diplomatik. Ai nuk mund të mbulojë kapjen e qeverisë, shtetit dhe ekonomisë nga krimi i organizuar, mafia dhe oligarkia e korrupsionit, me punën e dobët të diplomatëve shqiptarë.

Ai nuk mund të mbulojë dështimin tragjik të qeverisë për të ngritur e motivuar administratë dhe institucione profesionale, të përgjegjshme, besnike të interesave të larta të shtetit dhe të popullit tonë me shërbimin e vobektë diplomatik shqiptar. Shërbimi i shpartalluar diplomatik është në vetvete një provë e qartë se ky kryeministër nuk e ka haberin e punëve të shtetit dhe nuk ka lidhje me kulturën e respektimit dhe të ndërtimit të institucioneve.

ZGJIDHJA distancohet prerazi nga denigrimi kolektiv e i turpshëm që kryeministri u bëri ambasadorëve në televizion. Ky akt i ulët dhe i papërtypshëm i tij nuk është i pari. Ai e ka bërë strategji sjelljeje poshtërimin publik e në grup të punonjësve e drejtuesve të institucioneve të shtetit dhe të administratës publike. Kjo është kulturë dhe sjellje e njerëzve të rrugës. Nuk ka asgjë të përbashkët me kulturën dhe sjelljen e një shtetari.

ZGJIDHJA e di se lumi i të sharave dhe ofendimeve banale të kreut të qeverisë shqiptare nuk do ta bëjnë më të mirë diplomacinë e Shqipërisë, nuk do të sjellin asnjë cent investime të huaja, nuk do ta lartësojnë reputacionin e vendit në sytë e ndërkombëtarëve dhe as nuk do t’i mbrojnë apo shërbejnë shqiptarët e shpërndarë anekënd botës. Ato janë pjesë e lojërave të Ramës për të manipuluar dhe gënjyer opinionin publik dhe për ta nxjerrë veten “të larë” nga gjithë mëkatet e qeverisjes së tij.

ZGJIDHJA denoncon mungesën totale të një programi qeverisës dhe të një strategjie serioze shtetërore për të ngritur një diplomaci aktive, të efektshme, shërbyese dhe ndihmuese, besnike ndaj interesave të larta të kombit tonë dhe të qytetarëve shqiptarë kudo që jetojnë, brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë.

#ZgjidhjaPërShqipërinë

0
Shqipëria, superlavatriçja e parave të pista të Rilindjes

Shqipëria, superlavatriçja e parave të pista të Rilindjes

Një tjetër “sukses madhështor” i qeverisjes së Rilindjes. Një tjetër medalje turpi në gjoksin e kryeministrit Edi Rama. Pas renditjes në vend të parë si vendi me superprodhim kanabisi, vendi me më shumë azilkërkues ndër vendet që nuk janë në luftë, të emigrantëve për numër popullsie, të kufizimit të lirive ekonomike dhe politike, mjerimit, skamjes dhe shpresëvrarëve, Shqipëria është shndërruar në superlavatriçen e parave të pista të krimit dhe mafies. Analiza për  Indeksin Kundër Pastrimit të Parave, hartuar nga Instituti i Bazelit për Qeverisje, e renditi sivjet Shqipërinë në vendin e 85-të , ose mes 15 vendeve me rrezik më të lartë në Europë dhe Azinë Qendrore, që do të thotë se në vend ka vijuar pastrimi i parave të pista, korrupsioni në ekonomi dhe rreziku që këto të ardhura të përdoren edhe për terrorizmin.

Ky është një rezultat që nuk i surprizon shqiptarët. Nën qeverisjen e Rilindjes, qindra milionë euro me prejardhje nga trafiku i drogës dhe krime të tjera, hynë në ekonominë kombëtare, u pastruan dhe u përdorën si oksigjen për një vend që eksporton vetëm drogë dhe krim. Kjo sasi e pamasë parash të pista gremisi edhe monedhën e përbashkët europiane dhe valutat e tjera, sepse ato u përdorën për të blerë votat e 25 qershorit, që do t’i jepnin Rilindjes edhe një mandat tjetër qeverisës.

ZGJIDHJA deklaroi shumë kohë më parë se kjo do të ndodhte, se nga kjo ekonomi kriminale nuk përfitojnë aspak shqiptarët e thjeshtë, por një grusht mafiozësh dhe tutorët e tyre në pushtet. Këtë e dinë shumica e shqiptarëve që thonë se ekonomitë e tyre familjare janë më keq se katër vite më parë kur iku Saliu nga pushteti, se shteti nuk ofron asnjë mbështetje për shtresat në nevojë dhe se mundësia e vetme për të mbijetuar për gjysmën e shqiptarëve janë të ardhurat nga emigracioni.

ZGJIDHJA është e bindur se me këtë ekip qeverisës dhe me këtë kryeministër, vitin tjetër krimi dhe pushteti i lidhur me të do të pastrojë edhe më shumë para se tani, se shqiptarët do të jenë edhe më të varfër dhe se vendi do të jetë edhe më i rrezikuar përballë sfidave të terrorizmit. Kjo Shqipëri me stabilitet fasadë, do të jetë një minë me sahat dhe një fushë e lirë për krimin e organizuar dhe terrorizmin në Ballkanin Jugperëndimor.

#ZgjidhjaPërVendin

1
Europa t’i vendosë vizën kastës së Tiranës, jo popullit shqiptar

Europa t’i vendosë vizën kastës së Tiranës, jo popullit shqiptar

Raporti i përbashkët i policisë dhe prokurorisë së Amsterdamit mbi rritjen e kriminalitetit shqiptar dhe kërkesa e tyre për përjashtimin e Shqipërisë nga zona e lirë Schengen është në qendër të vëmendjes së mediave këto ditë. Në këtë raport, bazuar në fakte episodike, përgjithësohen karakteristika denigruese për shqiptarët dhe kërkohet dënimi kolektiv i tyre, duke rivendosur vizat dhe kufizuar lirinë e lëvizjes në vendet e BE-së. Institucionet ligjzbatuese, dhe ato të drejtësisë së disa vendeve europiane, nuk po i fshehin më qëndrimet shqiptarofobe dhe kërkesat për dënime kolektive. Për popullin e rraskapitur të Shqipërisë do të ishte tragjedi e rëndë të imagjinohej rikthimi i vizave. Ky raport, gjithsesi, ka cenuar edhe sigurinë juridike të çdo shqiptari që nesër do të ballafaqohet me këto institucione. Sa i paragjykuar do jetë një shqiptar, nëse vendos të udhëtojë në Holandë? Këto raporte të hartuara nga institucionet publike të një vendi europian, do të përdoren për të rritur urrejtjen ndaj shqiptarëve nga forcat ekstremiste dhe radikale jo vetëm në Holandë, por në çdo vend tjetër të botës.

ZGJIDHJA është e shqetësuar edhe nga qëndrimi i Ambasadës Holandeze në Tiranë, nga e cila pret reagime më të përshtatshme. Qeveria jonë duhet të thërrasë ambasadorin holandez dhe t’i kërkojë llogari shtetit të tyre, përmes një note proteste, për institucionet dhe zyrtarët që kanë hartuar këtë raport. Vendet si Holanda duhet t’i zbatojnë e mbrojnë vlerat europiane, në radhë të parë vetë, dhe sidomos kur është fjala për raste të tilla të cenimit kolektiv të të drejtave të shqiptarëve.

ZGJIDHJA e di se shqiptarofobinë dhe diskriminimin e qytetarëve tanë në Europë e favorizon dhe e përligj fakti që Qeveria e Tiranës është e kriminalizuar dhe e korruptuar deri në palcë! Pas raportit holandez qëndron KANABISGATE i qeveritarëve tanë. Me këtë qeveri, si kurrë më parë në Shqipëri, lulëzoi mafia e drogës dhe e korrupsionit. Rama ia kaloi Saliut sa e sa herë në bëmat e zeza me pushtetin.

ZGJIDHJA e denoncon këtë kryeministër dhe këtë elitë politike që shkatërruan themelet e shtetit tonë demokratik, e zhytën Shqipërinë në drogë, krim, në skamje, papunësi e mjerim dhe punuan vetëm për pasurimin e tyre personal me çdo rrugë e çdo mjet dhe në aleancë e bashkëpunim të ngushtë me mafien dhe kriminelët. Ata e grisën, e ndynë dhe e turpëruan emrin e Shqipërisë në botë!

ZGJIDHJA e ka bërë të qartë se nderin e Shqipërisë, ekonominë, sigurinë, demokracinë dhe lirinë e saj, e kanë sterrosur dhe shkatërruar një grusht oligarkësh dhe kriminelësh që kanë kapur partitë politike dhe përmes tyre, qeverinë dhe institucionet e shtetit tonë.

ZGJIDHJA është e vetëdijshme se diplomacia europiane, ku ka pjesën e vetë të rolit e ndikimit edhe Holanda, është jo pak përgjegjëse për fatkeqësitë që i ka shkaktuar elita politike e Shqipërisë popullit tonë. Kjo elitë e korruptuar, mafioze dhe e kriminalizuar shkatërroi zgjedhjet e lira dhe çdo standard të shtetit ligjor, e vuri shtetin në shërbim të krimit të organizuar. Diplomatët europianë kanë mbyllur sytë përpara të vërtetave të këtushme dhe shpeshherë kanë ndarë interesa korruptive me qeveritarët e Shqipërisë. Nëse Europa e do Shqipërinë partnere serioze dhe pjesë të saj, të mbështesë projektin tonë politik për pastrimin përfundimtar të zgjedhjeve dhe demokratizimin e qeverisjes.

ZGJIDHJA e di se me këtë qeverisje, çdo ditë po shkojmë drejt rrënimit të gjithanshëm, izolimit dhe vetëvrasjes kombëtare. Ky kryeministër i paaftë dhe gënjeshtar, që kriminalizoi çdo qelizë të shtetit dhe shoqërisë shqiptare, po na çon të gjithëve në humnerë.

#ZgjidhjaPërShqiptarët

1
Lamtumirë Bajram Rexhepi, ndër të paktët politikanë me integritet të lartë

Lamtumirë Bajram Rexhepi, ndër të paktët politikanë me integritet të lartë

Sot u nda nga jeta pas një semundje të rëndë, një nga figurat politike dhe intelektuale më të spikatura të shtetit të ri të Kosovës. Bajram Rexhepi do të mbahet mend jo vetëm si kryeministri i parë i shtetit të pavarur të Kosovës, por edhe si një qytetar me integritet të lartë, një shtetar i ndershëm dhe një mjek që ia kushtoi jetën profesionit të nderuar. Ai për afro 40 vite nuk u ndal së punuari si kirurg, madje edhe në kohë lufte, ndërsa si kryeministër i parë i institucioneve të përkohshme vetëqeverisëse udhëhoqi procese të rëndësishme politike, duke dhënë shembullin e njeriut, mjekut dhe politikanit të ndershëm, si pakkund në trevat shqiptare. Gjatë luftës me Serbinë më 1999-n, Rexhepi iu bashkua UÇK-së dhe kaloi tre muaj në male duke shërbyer si mjek në zonën operative të Shalës, ku kreu shumë operacione të rënda për luftëtarët e plagosur dhe banorët e sëmurë. Pas përfundimit të luftës, Rexhepi shërbeu si kryetar i këshillit bashkiak të Mitrovicës dhe kryetar i pjesës së jugut të qytetit të ndarë. Ai gjithashtu ishte dhe kryetar i degës së Partisë Demokratike të Kosovës në qytetin e tij.

Më 4 mars të vitit 2002, pas tre muaj bisedimesh me ndërmjetësimin e ish-kryeadministratorit të atëhershëm të Kosovës, Michael Steiner, Kuvendi i Kosovës zgjodhi Bajram Rexhepin si kryeministrin e parë të Kosovës, ndërsa Ibrahim Rugova ishte zgjedhur president. Gjatë periudhës 2010-2014 Rexhepi ishte ministër i Brendshëm i Kosovës dhe pas kësaj ai u tërhoq nga politika duke bërë një akt që e nderoi në sytë e gjithë shqiptarëve dhe e veçoi nga kjo klasë politike që politikën e shohin vetem si biznes dhe mjet pasurimi. Ai u rikthye në qytetin e lindjes, në Mitrovicë, dhe veshi bluzën e bardhë të mjekut në shërbim të qytetarëve, një akt ky që politikanët tanë as nuk e mendojnë, por përkundrazi e tallin dhe përbuzin, duke harruar se tashmë të përbuzur janë ata. Qytetarët e Shqipërisë mund ta kenë rastisur Rexhepin në kohën kur ishte shtetar i Kosovës dhe vinte për pushime në bregdetin shqiptar, me makinën e tij të vjetër familjare, në një kohë kur politikanët shqiptarë në Shqipëri, Kosovë apo Maqedoni nuk e fshehin dot luksin e krijuar nga postet shtetërore.

ZGJIDHJA ngushëllon familjen Rexhepi, bashkëshorten Shpresa dhe vajzën Vanesa, të afërmit dhe popullin e Kosovës për këtë humbje të madhe e të parakohshme!

1
Basha u bë me Ramën në zgjedhje, tani ankohet se PS i vodhi ato

Basha u bë me Ramën në zgjedhje, tani ankohet se PS i vodhi ato

Lulzim Basha deklaroi sot se:“Zgjedhjet u dhunuan dhe manipuluan nga Edi Rama dhe makineria e tij e pushtetit e ndihmuar nga krimi i organizuar dhe paratë e drogës dhe të korrupsionit”!! Flet kështu ai dhe PD-ja që bashkëpunuan me Ramën dhe Rilindjen për të realizuar dhe legjitimuar zgjedhjet e 25 Qershorit ku “makineria e pushtetit” së bashku me krimin e organizuar vunë në “punë” miliardat e drogës dhe korrupsionit.
Pas zgjedhjeve PD-ja heshti. Tani që, me sa duket, është prishur pazari i 18 Majit, Basha bërtet për një gjë që ZGJIDHJA e paralajmëroi dhe denoncoi përpara, gjatë dhe pas zgjedhjeve në fjalë. Vendi është në rrezik! Ai është kapur nga një klan qeverisës i kriminalizuar, mafioz dhe i korruptuar deri në palcë.”Opozita zyrtare” është e paaftë, por edhe pjesë integrale e kësaj elite të kalbur politike që për më shumë se dy dekada, e ka rreshtuar Shqipërinë mes vendeve më të varfra dhe më të korruptuara të botës, më keq se shumica dërmuese e vendeve afrikane të botës së tretë. ZGJIDHJA është e vetmja alternativë për Shqipërinë. Ajo përfaqëson zërin e popullit shqiptar, që kërkon dhe meriton të jetojë normalisht si gjithë vendet e tjera të Europës.
#ZGHIDHJApërShqipërinë

0
Emri i Arbën Xhaferit do t’i bënte nder Universitetit Shtetëror të Tetovës

Emri i Arbën Xhaferit do t’i bënte nder Universitetit Shtetëror të Tetovës

brahim Rrugova, me ndjemprehtësi gjeniu, ndërkombëtarizoi çështjen shqiptare të Kosovës. Në Maqedoni këtë mision kombëtar e udhëhoqi Arbën Xhaferi.
Në Kosovë Xhaferi punoi dhe kaloi një pjesë të rëndësishme të jetës. Qeveria Mustafa e nderoi duke pagëzuar me emrin e tij autostradën, që do të lidhë Prishtinën me Shkupin. Në Shqipëri, edhe pse kanë kaluar 5 vite nga ndarja prej nesh, ende nuk po shohim ndonjë vendim të qeverisë apo Bashkisë së Tiranës që të nderojë dhe përjetësojë emrin e këtij shqiptari të madh.
ZGJIDHJA i propozon faktorëve politikë në Maqedoni të kërkojnë nga organet kompetente qendrore dhe vendore që Universitetit Shtetëror të Tetovës t’i vendoset emri “Arbën Xhaferi”.
Askush nuk ka bërë për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni dhe për arsimin e lartë shqiptar sa Arbën Xhaferi.
Arbën Xhaferi nuk ka nevojë për nderimin tonë për të! Kombi shqiptar ka dhe do të ketë edhe në të ardhmen aq shumë nevojë për të kujtuar, përjetësuar dhe nderuar veprën dhe emrin e Arbën Xhaferin!

1