Të mbrojmë Ballist Morinën, Qeveria ti dalë për zot shqiptarisë!

Të mbrojmë Ballist Morinën, Qeveria ti dalë për zot shqiptarisë!

Ballist Morina është një hero i gjallë
në zemrat e popullit dhe të rininë shqiptare. Ai kërkohet të dënohet nga serbët vetëm sepse është shqiptar. Kroacia nuk duhet ta dorëzojë. Tirana të bëjë presjon. Serbët e urrejnë Ballistin. I urrejnë simbolet tona kombëtare. Jeta e Morinës rrezikohet seriozisht. I kanë harruar kroatët dhimbjet që kanë pësuar nga shovinizmi serb?
Ne e përshëndesim interesimin e ministrit të brendshëm Demiraj, por kjo nuk mjafton.
ZGJIDHJA i kërkon Qeverisë dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë të dalin me deklarata e qëndrime të qarta zyrtare e publike dhe t’ia bëjnë të qartë Kroacisë se
ekstradimi i Morinës do ishtë një ngjarje me shumë përgjegjësi.
Autoritetet Serbe dhe UEFA ndaluan në mënyrë të papreçedentë tifozët shqiptarë të përdorimin flamurin dhe simboleve tona kombëtare në Beograd. Dhuna nacionaliste që përdorën mijëra policët dhe tifozët serbë ishte flagrante, e shëmtuar, primitive, çnjerëzore. Ballist Morina me aktin e tij vendosi në vend një të drejtë të mohuar të shqiptarëve.
ZGJIDHJA denoncon edhe një herë qëndrimet dhe frymëzimet antishqiptare të Qeverisë së Beogradit dhe hipokrizinë e deklaratave të Qeverisë së Tiranës për vullnetin e mirë të dy qeverive në fjalë për të realizuar integrimin e shqiptarëve me Serbinë në një treg të vendeve të ballkanit perëndimor.
Serbët duhet ta dinë mirë se ne nuk do u zëmë besë për sa kohë ata do luftojnë, përndjekin, rrezikojnë e burgosin Ballist Morinën, interesat dhe simbolet e shqiptarëve.
ZGJIDHJA shpreh besimin se Ambasadorja kroate e BE-së në Tiranë, zonja Vlahutin do të ushtrojë ndikimin e saj pranë autoriteteve kroate për lirimin e menjëhershëm të Ballist Morinës. Shqiptarët edhe pse të varfër e të tradhëtuar nga kjo elitë politike, nuk do i braktisin kurrë simbolet, identitetin, idealet, interesat dhe kulturën e tyre. Morina është simbol i shqiptarisë për rininë tonë. Nuk do ishte ndihmuese për sfidat e integrimit europian dhe rajonal të Shqipërisë që një vend i BE-së siç është Kroacia, të dorëzojë Ballist Morinën në duart e serbëve.
#ZGJIDHJApërKombin

0
A do jepet me konçension Ujësjellësi i Tiranës (UKT)?

A do jepet me konçension Ujësjellësi i Tiranës (UKT)?

ZGJIDHJA dënon planin për rritjen drastike të çmimit të ujit. Rama e Veliaj dinakërisht e pabesisht kanë zgjedhur pikërisht kulmin e vapës dhe të boshatisjes së kryeqytetit për të miratuar këtë rritje. Njerëzit janë larguar masivisht me pushime.
Ne jemi një ndër vendet me të pasura me ujëra në Europë. Çmimi që paguajnë banorët e Tiranës është ndër më të lartët në rajon e më gjerë. UKT është me fitim të vogël, edhe pse vidhet e plaçkitet barbarisht nga “Rilindja”. Ky institucion faturon vetëm 20% të sasisë së ujit që shet. Duke përmirësuar rrjetin dhe menaxhimin, të ardhurat e UKT mund të katërfishohen. Pse rritet çmimi i ujit atëherë?
Rama me sa duket po përgatit dhënien me koncesion të UKT. Duhet të rrisi çmimet dhe mundësitë për fitime abuzive përpara se t’ia japi edhe ujin miqve të tij. Po të ndalojë vjedhja, grabitja dhe keqmanaxhimi, UKT mund të realizojë minimalisht një fitim mbi 25 milionë dollarë në vit me çmimet që ka aktualisht për ujin. Kjo ndërmarrje i ka të gjitha mundësitë të financojë të gjitha projektet që do i mundësonin furnizimin me ujë për 24 orë Tiranës brenda 5 vitesh.
Veliaj nuk sheh asnjë rrugë tjetër veçse ta bëjë çmimin e ujit sa Korça dhe sa Pogradeci. Sa qesharake! Sipas këtij “arsyetimi” çdo ujësjellës në botë që furnizon nevojat e klientëve për 24 orë duhet ta ketë çmimin sa uji i Korçës! Kështu thotë Veliaj. Dhe s’ka faj! Përvoja e tij e kufizuar pa background profesional nuk i këshillon gjë tjetër veç rritjes së çmimit!
ZGJIDHJA mbështet protestën e grupimit “Qytetarët për Parkun” që zhvillohet sot ne orën 18:00 përpara ndërtesës së bashkisë.
Me këtë rritje çmimi, pensionistët dhe familjet e varfëra të Tiranës do paguajnë rreth 20 mijë lekë në muaj, më shumë se sa kanë paguar deri sot.
ZGJIDHJA fton këshilltarët e bashkisë të mbrojnë interesin e popullit të Tiranës dhe të kundërvotojnë rritjen e çmimit të ujit.
#ZGJIDHJApërPopullin

0

Mirënjohje përjetë atyre që bënë Luftën Nacional-Çlirimtare

60-vjetori i themelimit të organizatës së veteranëve të LANÇ-it është një ditë e shënuar për të nderuar ata mijëra vajza dhe djem, që dhanë gjithçka për vendin. Edhe pse qeveritë i kanë harruar, thua se nuk ekzistojnë, përfaqësuesit e atij brezi dhe familjet e tyre meritojnë nderim dhe vlerësimin maksimal që duhet të ketë çdo shqiptar për sakrificat e tyre për vendin. Veteranët e luftës dhe të punës janë ndërgjegjja e vendit, sepse ata e bënë këtë vend. Gjaku dhe mundi i tyre nuk u paguan, sepse drejtuesit e paaftë në këto 26 vite kanë vjedhur gjithë pasuritë e vëna me mundin dhe me djersën e tyre. Partia Zgjidhja shpreh mirënjohjen për brezin që luftoi, ringriti Shqipërinë e rrënuar nga lufta dhe e bëri një vend që trajtohej me respekt në botë. Vërtet ky brez u nëpërkëmb dhe nuk iu dha asnjë meritë, shpërblim, apo nderimi që i duhet, por të gjithë shqiptarët e ndershëm dhe patriotë do t’u jenë mirënjohës përjetë. Ndaj dhe partia Zgjidhja, mbështet kërkesën e tyre që 20 korriku të shpallet “dita kombëtare e veteranëve”.

0
Franca ultimatum Ramës për të ndalur vërshimin e azilantëve

Franca ultimatum Ramës për të ndalur vërshimin e azilantëve

Të dashur miq! Pas narkotrafikut masiv, një “bombë” tjetër po i plas në duar qeverisë. Me mijëra azilantë shqiptarë, të braktisur nga shteti i tyre, po dynden rrugëve të Europës dhe veçanërisht në Francë. Pak ditë më parë ministri i brendshëm i Francës i dha ultimatum Ramës përmes një bisede në telefon, për të ndaluar emigrimin masiv të shqiptarëve. Rama sot dërgoi në takim urgjent ministrin tonë të jashtëm, Bushatin. Ministri i ri i brendshëm, Zherar Kolomb, me siguri që i ka paralajmëruar Ramën dhe Bushatin se me këto dyndje të papara refugjatësh shqiptarë në kohë paqeje, qeveria “Rama” të mos shpresojë për dritë jeshile në BE, përkundrazi po rrezikon rikthimin e regjimit të tmerrshëm të vizave për Shqipërinë.

Rama e ka siguruar ministrin e brendshëm francez se deri në tetor kjo situatë do zgjidhet! Në tetor, Zherar Kolomb do të vizitojë Tiranën për të verifikuar “zgjidhjet” e Ramës.

Në vitin 2016 Shqipëria figuroi në vendin e parë të kërkesave për azil në Francë me 8 mijë dosje, duke ua kaluar edhe sirianëve, irakenëve apo afganëve që ikin nga vende në luftë. Shqiptarët shkojnë në Francë sepse aty shqyrtimi i një kërkese për azil zgjat me muaj dhe të lejon të strehohesh dhe të ushqehesh ndërkohë që në Gjermani përgjigjja negative vjen brenda pak ditësh.

Në qytetin lindor francez të Metzit fenomeni i arritjes në masë të shqiptarëve ka marrë përmasa të tilla sa po krijohen kampingje gjigande me çadra në qiell të hapur për të strehuar fatkeqët nga Shqipëria, ndër të cilët një numër i jashtëzakonshëm i minorenëve, fenomen ky që po e shqetëson seriozisht qeverinë mike franceze. “Oqeani” i çadrave me refugjatë nga Shqipëria është pasqyruar gjerësisht edhe në median franceze ZGJIDHJA e denoncon Edi Ramën se në vitin 2017 po rikthen imazhet tronditëse të refugjatëve të vitit 1991. Shqiptarët po i thith pa pushim kurbeti dhe ky kryeministër po na merr erzin. Europa nuk mund ta pranojë azilin ekonomik dhe ka shumë të drejtë për këtë.

ZGJIDHJA i kërkon, me këtë rast, ndjesë ambasadores së Francës në Tiranë dhe popullit francez. Edi Rama e mohon këtë skandal ashtu siç mohoi për një kohë të gjatë edhe skandalin e drogës. Hallexhinjtë shqiptarë po kërkojnë punë, shkollë, kurim dhe dinjitet qyteteve të Francës dhe Europës.

Qeveria dhe elita politike e ka lënë këtë popull në mëshirë të fatit. Kjo qeveri tutkunësh nuk është e zonja për asnjë punë, nuk është e aftë të krijojë asnjë perspektivë për qytetarët tanë. Rama meret vetëm me kurim imazhi e fasada, me manipulimin e publikut dhe listat e zeza, me shkatërimin e shtetit ligjor dhe vjedhjen e zgjedhjeve, me luftën ndaj atyre që mendojnë ndryshe dhe blerjen e mediave, me dëgjesa publike ku flet vetë dhe nuk dëgjohet populli halleshumë, me shantazhimin e gjykatësve, prokurorëve e zyrtarëve, me debate të kota në rrjetet sociale, me shkatërrimin e demokracisë dhe me ushqimin e ëndrrës së sulltanit të mjerimit në njē vend ku sundon krimi dhe korrupsioni.

Rama nuk ka asnjē zgjidhje demokratike e të vërtetë për të bërë. Të vetmit gjëra që do bëjë ai janë masat dhe shtërngesat antidemokratike, fushatat propagandistike, gënjeshtrat dhe manipulimet. Në fund ai do të lërë në këtë vend vetëm një gropë të madhe, timonin e ndryshkur dhe tepsinë për skrap, atletet e bardha dhe këpucët e kuqe, një milion pensionistë, të vobektë, të sëmurë, ca fëmijë që rrinë pranë gjyshes, sepse prindërit i kanë në emigracion dhe ca persona që do të jenë “non grata” në vendet e tjera.

#ZGJIDHJApërNDRYSHIM

0
Shefat e partive parlamentare janë përgjegjës për vjedhjen e votave, prokuroria të hetojë

Shefat e partive parlamentare janë përgjegjës për vjedhjen e votave, prokuroria të hetojë

KQZ ka çuar për ndjekje penale 70 numërues për tjetërsim të votës në zgjedhjet e 25 qershorit. Ata janë porositur e urdhëruar nga shefat e partive për të kryer këtë vepër penale. Imagjinojeni se çfarë ka ndodhur në të gjithë vendin, kur ky krim elektoral u zbulua vetëm në një rinumërim prej 64 kutish në Tiranë. Shto këtu shitblerjen masive të votës, joshjen dhe kërcënimin me vendin e punës…

“Zgjidhja” paralajmëroi me kohë: Rilindja dhe partitë e tjera që administrojnë zgjedhjet janë kthyer në organizata mafioze që tjetërsojnë vullnetin e popullit. Duke e ditur këtë ne refuzuam pjesëmarrjen në farsën e 25 qershorit.

Edhe një herë ftoj Prokurorinë e Përgjithshme që mbi bazën e të vërtetës së 64 kutive të kuptojë se kemi të bëjmë me një krim me përmasa të mëdha ndaj ligjit dhe ndaj institucioneve kushtetuese të Shqipërisë. Kemi të bëjmë me një puç ndaj zgjedhjeve. Manipulimi i zgjedhjeve në 90 % të kutive është grusht shteti. Prandajë prokuroria duhet të hapi të gjitha kutitë dhe të hetojë deri në fund këtë mega krim elektoral.

Krimi elektoral i vjedhjes dhe i manipulimit të votës në 25 qershor implikon të paktën 15 mijë numërues nga Rilindja, PD dhe partitë e tjera që administruan zgjedhjet. Ndër këta, mbi 5 mijë janë të Rilindjes. Pra pothuajse gjithë ushtria e numëruesve të Rilindjes ka vjedhur vota. A ka ndonjë shqiptar që mendon se kjo ushtri e ka tradhëtuar shefin e Rilindjes dhe ka vepruar pa urdhërin e tij e “me kokën e saj” për të vjedhur dhe manipuluar vota? Me kokën e saj? E kush është koka e saj?

Nga dëshmitë rezulton se në Qarkun e Vlorës Rilindja ka blerë më shumë vota nga sa duheshin, aq shumë vota sa që ajo ka fituar edhe deputetin e 9-të. Meqenëse kjo ishte aq e ekzagjeruar, nga fundi i procesit të numërimit, kupola e Rilindjes u dha urdhër numëruesve të saj në Vlorë, që të vjedhin edhe votat e PS-së dhe t’ia numërojnë ato PD-së. Kështu u bë deputet Dulja që ishte i treti në listën e PD-së.

Po të dënohen sipas ligjit ata që kanë kryer krime elektorale në 25 qershor na nevojitet të 5-fishojmë kapacitetin e burgjeve për të strehuar vetëm një pjesë të vogël të tyre. Krimi elektoral është më i përhapuri në Shqipëri. Në renditje, sipas numrit të shqiptarëve të përfshirë, rezulton se kriminelët e zgjedhjeve janë më shumë se ata të drogës dhe janë më shumë se ata që emigrojnë çdo vit nga Shqipëria.

Për të pastruar Shqipërinë nga ky krim dhe nga këta kriminelë nuk duhen të përqëndrohemi te kriminelët e zakonshëm të zgjedhjeve. Duhet të “burgosen” kryetarët e partive dhe ky sistem e kod zgjedhor që kemi sot. Vetëm kështu mund ta shpëtojmë edhe zgjedhjet, edhe PS-në, edhe Shqipërinë nga Rilindja dhe PD-ja.

“Zgjidhja” nuk do të ndalet, nuk do të tërhiqet dhe nuk do të dorëzohet deri sa t’i mundë e t’i thyejë të gjithë armiqtë të zgjedhjeve të lira e të ndershme dhe të lirisë së popullit shqiptar. Liria dhe demokracia e vërtetë prodhojnë stabilitet e paqe. Zgjedhjet e vjedhura, pa standarde e të manipuluara, shkatërrimi i lirisë dhe demokracisë, shkatërrojnë shpresën, mirëqenien, paqen dhe stabilitetin në vend dhe në rajon, prandaj “Zgjidhja” ka ndërmarrë nismën ligjore për të reformuar zgjedhjet përmes referendumit të popullit shqiptar.

#ZGJIDHJApërLIRINË

0
Pse u shty koncesioni i Rinasit?!

Pse u shty koncesioni i Rinasit?!

Dy vjet më parë qeveria u mburr me të madhe se arriti që të shtynte me dy vjet marrëveshjen me koncesionarin e Aeroportit të Rinasit (TIA), në këmbim të fillimit të operimit të Aeroportit të Kukësit. Ku jemi sot? Kukësi është harruar, ndërsa kryeministri, me atlete të bardha dhe këpucë të kuqe, po përpiqet që ta shmangë vëmendjen, duke broçkullitur për aeroporte të tjera. Ne vazhdojmë të paguajmë biletat më të shtrenjta të avionit në rajon dhe në Europë, ndërsa koncesionari i Rinasit arkëtoi fitimin prej 2.3 miliardë lekësh në vitin 2016. Koncesioni i Aeroportit të Rinasit, nga tetori i vitit të kaluar, është në duar e një kompanie guackë “Real Fortress Private Limited” me zyra në Shenton Way-Singapor. Koncensionari është një kompani offshore me një aksioner të vetëm. Shtyrja e afatit të koncesionit të Rinasit u bë pa asnjë përfitim real për Shqipërinë. Qeveria e tutkunëve bën vetëm humbje për qytetarët e këtij vendi.

#ZGJIDHJA

 

0
Droga po vret të rinjtë shqiptarë

Droga po vret të rinjtë shqiptarë

Në “Raportin Vjetor Global të Drogave” të OKB-së për vitin 2017, Shqipëria renditet në vendet e para për përdorimin e substancave të forta psikotike nga të rinjtë dhe një nga vendet me evidenca të forta në përfshirjen e grupeve të krimit të organizuar në trafikun e heroinës, kokainës dhe kanabisit. Shqipëria renditet e para në botë për frymë popullsie, për sa i përket përdorimit të drogës më të fortë dhe më të shtrenjtë, siç është kokaina. Shqipëria është ferma më e madhe në botë e kanabisit ilegal, vendi ku dënohen me burg të rinjtë që pijnë një cigare hashash, ndërsa trafikantët janë të lirë dhe mbrohen nga zyrtarët e shtetit.

ZGJIDHJA distancohet prerazi nga politikat e papërgjegjshme dhe nga spektaklet televizive të kryeministrit me “Task-forcën antikanabis”, për të gjetur “kokat e trafikut” që populli e di shumë mirë se kush janë.

0
Dështim i ri i Qeverisë së Shqipërisë

Dështim i ri i Qeverisë së Shqipërisë

Një tjetër lajm dekurajues ka ardhur ditën e sotme. Pas dështimit me sukses në Samitin e Triestes, ku Shqipëria nuk ishte në gjendje të përfitonte asnjë nga projektet e ndërlidhshmërisë në energji dhe transport, institucionet dhe organizatat shqiptare kanë fituar shumë pak projekte nga thirrja e dytë për projekt-propozime në kuadër të programit INTEREG IPA CBS Greqi-Shqipëri 2014-2020.

Nga 40 projekte, institucionet shqiptare kanë arritur të marrin vetëm 3, me një vlerë totale prej 2 milionë euro, ndërsa pala greke fitoi 37 projekte me vlerë 25 milionë euro. Nuk mund të fshihemi pas faktit që Greqia është më e madhe dhe se nga projektet ndërkufitare do të përfitojnë të dyja palët. Jo! I kishim të gjitha mundësitë që të paraqisnim projekte fituese për promovimin e turizmit, transportit dhe infrastrukturës, si dhe për nxitjen e ekonomisë lokale. Shqipëria diskutohet vetëm për dështime dhe për atletet e kryeministrit. Kjo tregon edhe një herë se qeveria dhe institucionet tona janë mbushur me tutkunë të paaftë për t’u marrë me problemet reale të vendit.

0
Partia ZGJIDHJA, letër ambasadorëve për zgjedhjet e 25 qershorit

Partia ZGJIDHJA, letër ambasadorëve për zgjedhjet e 25 qershorit

Kryetari i partisë ZGJIDHJA, Koço Kokëdhima, i dërgoi sot një letër ambasadorit të OSBE-së, Bernd Borchardt; ambasadorit Peter Tejler, kreu i Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të 25 qershorit si dhe për dijeni z.Donald Lu, ambasador i SHBA-ve dhe Romana Vlahutin, ambasadore e BE-së. Në letër shprehet shqetësimi për hapin prapa që u bë në zgjedhjet e 25 qershorit si dhe u kërkohet partnerëve ndërkombëtarë të Shqipërisë që të vendosen përfundimisht në anën e popullit shqiptar dhe jo në anën e politikanëve të kapur të Tiranës që blejnë, vjedhin dhe manipulojnë zgjedhjet me paratë e marijuanës dhe të krimit, sepse pa zgjedhje të lira dhe pa demokratizimin dhe modernizimin e partive politike ky vend nuk do të ketë as përparim, as liri të vërtetë dhe as stabilitet.

 

Letra e z.Kokëdhima

 

Të nderuar zotërinj ambasadorë,

Opinioni publik në Shqipëri po ballafaqohet çdo ditë me prova të manipulimit në mënyrë metodike dhe në shkallë të gjerë të procesit elektoral të 25 qershorit nga qeveria në dëm të opozitës dhe nga partitë që administruan këto zgjedhje në dëm të partive të tjera pjesëmarrëse.

“Zgjidhja” pajtohet me të gjitha problemet dhe shqetësimet e trajtuara në raportin paraprak të vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR-it. Ne vlerësojmë deklaratën e z.Tejler se në zgjedhje pati politizim dhe e konsiderojmë të drejtë konstatimin e z. Roberto Batelli, se “Prisja që këto zgjedhje të ishin më të mira, por janë njësoj si zgjedhjet e mëparshme. Ka ardhur koha që Shqipëria të bëjë një lëvizje serioze dhe domethënëse drejt normalitetit”.

Si kryetar i “Zgjidhja”-s e vlerësoj veçanërisht angazhimin e Prezencës së OSBE-së vitet e gjata të tranzicionit shqiptar dhe përpjekjet e saj për ngritjen dhe fuqizimin e institucioneve demokratike në Shqipëri. Emra të tillë si ambasadorja Audrey Glover që me vendosmëri denoncoi masakrën zgjedhore të 26 majit 1996, apo ambasadorit Daan Everts që u angazhua me kurajo dhe përkushtim në reformën e institucioneve pas trazirave të marsit 1997, janë miq dhe dashamirës të Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Por, për fat të keq, vit pas viti, Shqipëria nuk ariti përparimin e duhur drejt demokracisë. Zgjedhjet e fundit ishin treguesi real se sa larg shteteve të rajonit dhe të botës demokratike është Shqipëria, si vendi i vetëm që nuk arrin të bëjë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Rinumërimi i 64 kutive në Tiranë ishte shembulli emblematik i asaj çfarë ka ndodhur më 25 qershor në mbarë vendin. Vetëm në 7 kuti nuk ishte deformuar vullneti i zgjedhësve, ndërsa në 57 kutitë e tjera votat e partive të vogla u numëruan për llogari të katër partive që administruan zgjedhjet.

Misionet që asistojnë Shqipërinë e dinë më mirë se kushdo tjetër, se në vendet demokratike zgjedhjet nuk i administrojnë partitë politike. Partitë shqiptare janë bashkësi parapolitike tërësisht autokratike. Atëherë, përse në Shqipëri është toleruar dhe tolerohet prej më shumë se një çerek shekulli kjo shkarje me pasoja të rënda? Të mbyllësh sytë përpara praktikave të tilla elektorale, është njëlloj si të tradhëtosh aspiratat e qytetarëve shqiptarë për liri, mirëqenie dhe drejtësi.

“Zgjidhja” e përcolli me shqetësim deklaratën e Parlamentit Europian, pas zgjedhjeve të 25 qershorit, se procesi duhet parë më shumë në kontekstin politik, sesa në atë teknik, që bie në kundërshtim edhe me frymën e raportit të gjetjeve paraprake të vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it dhe druan se kjo është në dëm të përpjekjeve për instalimin e vlerave të demokracisë në Shqipëri.

“Zgjidhja” u bën thirrje partnerëve ndërkombëtarë të Shqipërisë që ta bëjnë me kurajo zgjedhjen e tyre duke u vendosur përfundimisht në anën e popullit shqiptar dhe jo në anën e politikanëve të kapur të Tiranës që blejnë, vjedhin dhe manipulojnë zgjedhjet me paratë e marijuanës dhe të krimit, në anën e demokracisë së vërtetë dhe jo në atë të një stabiliteti fals të Shqipërisë së varfër, të korruptuar e të pashpresë. Një Shqipëri e tillë nuk do e ndihmojë dot për shumë kohë as paqen dhe as stabilitetin e Ballkanit. Ka ardhur momenti që historia e manipulimeve të zgjedhjeve në Shqipëri të marrë fund një herë e mirë. Zgjedhjet e manipuluara të 25 qershorit do të prodhojnë deformime edhe më të thella, korrupsion, keqqeverisje, stanjacion ekonomik, kriminalitet, varfëri, papunësi, emigrim të madh dhe destabilizim. Pa zgjedhje të lira dhe pa demokratizimin dhe modernizimin e partive politike ky vend nuk do të ketë as përparim, as liri të vërtetë dhe as stabilitet.

“Zgjidhja” pret nga OSBE/ODIHR-i një prononcim pa dorashka dhe në lartësinë e skandalit që përbën fakti se 90% e kutive të hapura në Tiranë rezultuan të manipuluara. Kjo tregoi se zgjedhjet e 25 qershorit janë integralisht të deformuara nga mafia e partive.

“Zgjidhja” ftoi qytetarët shqiptarë që t’i bojkotonin këto zgjedhje sepse nuk u plotësua asnjë kusht për zgjedhje të lira dhe të ndershme, siç ishte reforma zgjedhore, aplikimi i votimit dhe numërimit elektronik në qendrat e votimit, krijimi i një administrate shtetërore zgjedhore të departizuar etj. Rreth 55 % e qytetarëve nuk votuan duke shënuar kështu rekordin historik të shqiptarëve për mospjesëmarrje në zgjedhje. Shqipëria tani renditet e fundit në rajon edhe për këtë tregues. Kjo prirje do të thellohet me shpejtësi në se nuk reformohen dhe nuk rivendoset besimi te zgjedhjet.

Ne jemi dëshmitarë se listat e deputetëve edhe në këto zgjedhje u hartuan nga kryetarët e partive pa transparencë, pa konkurencë, pa zgjedhje paraprake dhe pa pjesëmarrjen e militantëve të bazës së partive dhe qytetarëve të vendit.

Modeli shqiptar i zgjedhjeve është i vetmi në bashkësinë e vendeve demokratike ku partitë e vjetra, të cilat janë të kriminalizuara, numërojnë votat e të gjitha partive të tjera.

Me të drejtë njerëzit e këtij vendi pyesin: Kush e mban në këmbë këtë sistem zgjedhor të pabesueshëm? Kush është i interesuar që në Shqipëri të mos ketë zgjedhje të lira dhe me standarte? Një gjë është e sigurt: populli shqiptar nuk është porositësi i ketij modeli antidemokratik, por viktima e përhershme e tij. Zgjedhjet duhet të organizohen në emër të interesit të popullit dhe jo të partive, siç ndodh në çdo vend demokratik.

“Zgjidhja” insiston që raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR-it të fokusohet mbi të vërtetën e 64 kutive që u hapën në Tiranë. Raporti duhet të tejçojë atë që shqiptarët ndjejnë dhe besojnë; faktin se zgjedhjet, ngaqë administrohen nga partitë e diskredituara, janë bërë të pabesueshme dhe të neveritshme dhe nuk e mundësojnë përtëritjen e elitës politike të Shqipërisë.

“Zgjidhja” mbështet fuqimisht opsionin që reforma zgjedhore të udhëhiqet nga Prezenca e OSBE-së si garancia më e madhe që në Shqipëri të kemi një sistem zgjedhor të njejtë me modelet më të mira perëndimore. Respektimi i themeleve dhe vlerave bazë të demokracisë që e kanë zanafillën te zgjedhjet e lira e të ndershme është rruga e vetme për t’i dhënë fund tranzicionit shqiptar dhe për të mundësuar integrimin europian të Shqipërisë.

Mbetemi me shpresën dhe besimin për një vlerësim të drejtë e të paanshëm të zgjedhjeve të 25 Qershorit nga Prezenca e OSBE-së në Tiranë dhe nga Misioni Ndërkombëtar i Vëzhgimit të këtyre zgjedhjeve.

Ju lutem pranoni, zotërinj Ambasadorë, shprehjen e konsideratës sime më të lartë.

Koço Kokëdhima

0