Fjala e Kokëdhimës në takim me mbështetësit e ZGJIDHJES në Korçë

Fjala e Kokëdhimës në takim me mbështetësit e ZGJIDHJES në Korçë

Të dashur miq!
Vendi është zhytur në një krizë të rëndë politike. Opozita është në rrugë. Ajo nuk është regjistruar dhe nuk paraqiti kandidatë për zgjedhjet e 18 qershorit. Zgjedhjet e datës 7 maj në Kavajë nuk mund të zhvillohen normalisht. Kavaja është në prag të një konfrontimi të madh. Bashkë me zgjedhjet e Kavajës janë hedhur në erë edhe zgjedhjet e përgjithshme të 18 qershorit. Vendi po shkon drejt kaosit dhe destabilizimit. Pasojat e kësaj situate janë shumë të rënda për çdo ditë që kalon dhe për cdo ditë që vjen. Lidershipi i qeverisë u përpoq të manipulonte haptazi opinionin publik me javë të tëra. Duke mohuar të vërtetën dhe situatën reale politike, e la dhe po e zhyt edhe më thellë vendin në thonjtë e një krize të papreçedentë. Edhe në krizën e përgjakshme famëkeqe të piramidave financiare të 1997-ës, Shqipëria arriti asokohe të mbajë zgjedhje gjithëpërfshirëse.

Ai thotë se “krizë ka vetëm PD-ja”, “vendi nuk ka krizë”, “nuk më shqetëson fare fakti se opozita do jetë në rrugë dhe jo në parlament në 4 vitet e ardhshme”, “vdektë çadra”, “zgjedhjet e Kavajës do bëhen në 7 maj”, “zgjedhjet e 18 qershorit nuk vihen në dyshim, do bëhen fiks në 18 qershor”, “shihemi pas katër vitesh” e të tjera broçkulla si këto. “Zgjidhja” ka paralajmëruar opinionin publik dhe të majtën jo vetëm për faktin se këto deklarata i bëjnë njerëz që nuk shikojnë më larg se hunda dhe karrikja e tyre, por edhe për rrezikshmërinë e madhe të këtyre qëndrimeve e vlerësimeve politike. Nga kjo tribunë dua t’u rikujtoj edhe një herë liderëve politikë të papërgjegjshëm dhe dritëshkurtër të Shqipërisë se zgjedhje pa opozitën nuk mund të ketë, se zgjedhjet e 18 qershorit kanë rënë dhe se ato në asnjë rast nuk do prodhojnë dot as institucione legjitime dhe as stabilitet. Shqipëria po shkon drejt një situate kritike.

Rama mendon dhe tenton që të rindërtojë me ca nga këto partizat e shportës së koalicionit të tij, një grup që do bëhet opozita farsë dhe e emëruar e vendit. Dhe ky do shkojë në parlamentin e ardhshëm si “sulltani i vogël” përballë kësaj opozite të sajuar. Ai është betuar se në katër vitet e ardhshëm do të përfaqësojë edhe elektoratin e opozitës reale, e cila nuk do marrë pjesë në zgjedhjet e qershorit. Ndjej vërtet keqardhje për këta aleatët e vegjël të cilët, të rraskapitur nga dështimi i tyre shumëvjeçar, të lodhur nga zhgënjimet dhe të ndjerë të përdorur nga kalorësit e pushtetit, mendojnë se ju ka ardhë rasti në dorë dhe mundësia që të përfitojnë tani që “Komanda Supreme e Rilindjes” po i bën copë zgjedhjet, opozitën dhe Shqipërinë.

I ftoj të gjithë të gjykojnë situatën me gjakftohtësi dhe të mos bëhen pjesë e lojërave të errëta për pushtet që rrezikojnë paqen, sigurinë dhe stabilitetin e vendit. Në vitin 1991 në Shqipëri u vendos pluralizmi, por jo demokracia. Në këto 26 vite në vendin tonë ka sunduar një regjim hibrid, i korruptuar deri në palcë, i cili ka inkriminuar në çdo qelizë shtetin dhe shoqërinë, një regjim antipopullor, i pashpirt dhe i bazuar te tutkunët, të paaftët, servilat, mafiozët, horrat dhe maskarenjtë; rregjimi i partitokleptokracisë. Tani, pas 26 vitesh, jo vetëm që nuk ka asnjë shpresë për të vendosur demokracinë e ëndëruar, por Edi Rama po zhduk edhe të vetmen arritje madhore të sistemit politik aktual, po shkatërron e varros edhe pluralizmin politik të institucionalizuar. Largimin e opozitës nga parlamenti i ardhshëm, ai e konsideron të ligjshëm! Ky është një gabim tragjik i kryeministrit.

Është e vërtetë se politika mishërohet në ligjet që bëhen, por është arsyetim i cekët të thuash se ligjet prodhojnë politikën. Ai ka përgjegjësi politike, morale, shtetërore dhe qytetare. Nuk mund të justifikohet se ia lejon ligji të lërë jashtë zgjedhjeve 40 për qind të shqiptarëve. Këtë ai e bën vetëm për interesa personale. Disa herë ai ka mbrojtur me kokëfortësi interesin dhe pushtetin personal në dëm dhe në injorim të interesit të së majtës dhe të interesit të popullit. Në vitin 2009 ai refuzoi koalicionin me LSI dhe i dha edhe 4 vite të tjera pushtetin Berishës vetëm sepse kërkonte më shumë pushtet personal. Për të njëjtën arsye në vitin 2011 Rama e çoi në humbje Partinë Socialiste në zgjedhjet për bashkinë e Tiranës. Ata që arsyetonin me logjikë të ftohtë e dinin se Rama do e humbiste betejën, por ai i shkoi me kokëfortësi deri në fund idesë së tij, sepse nuk e mendonte dot veten asnjë ditë pa pushtet. Edhe sot ai, me kokëfortësi është duke e çuar vendin drejt konfliktit dhe destabilizimit vetëm, sepse nuk pranon ta zgjidhë këtë krizë me mjete politike. Si Saliu, ai është gati t’i vërë zjarrin Shqipërisë për karrigen e tij. Opozita e vendit nuk është as Sali Berisha dhe as Lulzim Basha, nuk është as trupa parlamentare e Partisë Demokratike.

Opozita e vendit janë 40 për qind e popullit shqiptar, janë motrat dhe vëllezërit tanë që ndajnë bindje të ndryshme politike, ideologjike, kulturore e filozofike nga tonat. Sali Berisha dhe shumë nga drejtuesit e Partisë Demokratike kanë bërë një luftë të ndyrë, të padrejtë, të paligjshme dhe plot me shpifje e sulme politike shkatërrimtare mbi jetën, karrierën dhe interesat e mia dhe të familjes time; kanë sulmuar çdo gur e çdo të gjallë të lidhur me mua. Ata mbeten kundërshtarët e mi më të egër politikë. Është e freskët për të gjithë se politikanët e opozitës, së bashku me mercenarët dhe killerët e paguar mediatikë të qeverisë bënë kundër meje 30 mijë publikime në 3 vjet të mbushura me shpifjet dhe sulmet më monstruoze që mund të bëhen ndaj një njeriu. Këto sulme çnjerëzore dhe tërësisht politike të opozitës së Saliut, i përdori lidershipi i PS-së në rrugë, komplotiste e përmes urdhërimit politik të Gjykatës Kushtetuese që të rrëzonte mandatin tim të deputetit një vit më parë. Unë nuk merrem me ta. Kurrë nuk i kam përkthyer në konflikte personale mospërputhjet, sulmet dhe luftërat politike.

Çdo minutë të jetës time në politikë do e përdor për interesat e qytetarëve. I kam lënë të dy palët në dorë të perëndisë dhe në gjykimin e popullit tonë. Kjo krizë është shumë e rrezikshme për popullin dhe atdheun tonë. Nga kjo situatë do të përfitojnë vetëm interesat e huaja, shqiptarët vetëm do të humbasin e do të vriten. Kriza e sotme është një krizë e shumëfishtë, që fsheh brenda vetes disa kriza e shkaqe të thella e të rënda politike dhe institucionale. Rama përpiqet t’i fshehë përmasat dhe arsyet e vërteta të kësaj krize. Ai kërkon t’u hedhë hi syve opinionit të brendshëm dhe partnerëve ndërkombëtarë. Ai përpiqet ta paraqesë krizën si rastësore dhe ta kapërcejë atë me artifica elektorale dhe me argumente tekniko-ligjore. Kjo nuk e zgjidh situatën, vetëm e ndërlikon dhe e bën më të vështirë atë. Në themel të kësaj krize qëndron shkatërrimi i institucionit të zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Shqipëria ka dështuar të ketë zgjedhje të lira në këto 23 vitet e fundit. Berisha dhe PD e instaluan vjedhjen e zgjedhjeve në Shqipëri. Ata mbajnë përgjegjësitë më të rënda për zhgënjimin e shpresave të shqiptarëve se në këtë vend do vendosej demokracia, sundimi i shtetit ligjor, shenjtëria e lirive politike, shoqërore dhe ekonomike, mirëqenia dhe drejtësia, respekti dhe mbështetja për ëndrrën, meritën, aftësinë dhe kontributet e seicilit në shoqëri. Rama dhe Partia Socialiste nuk u distancuan nga kjo kulturë, ju bashkuan asaj. Të dy palët janë përgjegjëse për krimet elektorale dhe për shkatërrimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme në këto 23 vite. Sistemi politik dhe elektoral që kemi sot është ai që ndërtoi Berisha me Ramën në këto 12 vitet e fundit, është ai që la në fuqi Berisha përpara katër vjetësh. Sot Berisha dhe PD-ja ndihen të kërcënuar nga të njëjtat poshtërsi që ata u bënë kundërshtarëve të tyre për vite me radhë në Shqipëri.

Ç’kanë mbjellur janë duke korrur. Aktorët që artikulojnë sot problemet e rënda të zgjedhjeve dhe që e kanë futur vendin në krizë, janë kush më shumë e kush më pak të implikuar me krime e korrupsion, janë përgjegjës për gjithë këto të zeza që i janë bërë popullit shqiptar në këto vite të tranzicionit. Shqipëria është i vetmi vend në kontinent që nuk bën zgjedhje të lira dhe të ndershme. Socialistët dhe demokratët vazhdojnë të vjedhin dhe manipulojnë vota në çdo palë zgjedhje. Qeveria e majtë e di shumë mirë të vërtetën e zgjedhjeve tona. Ajo nuk mori asnjë masë për pastrimin e zgjedhjeve dhe reformën zgjedhore pavarësisht se ka 4 vite që gëzon mbështetje të cilësuar në parlament dhe nuk kishte asnjë pengesë për të bërë reformën e dëshiruar që do e zgjidhte një herë e përgjithmonë problemin e zgjedhjeve në Shqipëri. Ne kemi një çerek shekulli që monitorohemi dhe asistohemi nga misioni ndërkombëtar i OSBE/ODIHR-it.

Një çerek shekulli që këto misione dhe aleatët tanë ndërkombëtarë raportojnë zgjedhje me probleme, por “të pranueshme”. Këto misione kanë dështuar. Prania e ndërkombëtare nuk i ka bërë zgjedhjet tona më të lira e më të ndershme dhe as nuk e ka ndihmuar Shqipërinë të bëjë zgjedhje me standarde si vendet nga vinë diplomatët dhe ekspertët e këtyre misioneve. Këta diplomatë që çertifikojnë zgjedhjet e Shqipërisë as nuk mund t’i mendojnë dot zgjedhje të tilla për vendet e tyre. Vendet e tyre do përvëloheshin në flakë po të bënin dhe po të çertifikonin zgjedhje si tonat. Zgjedhjet e 18 qershorit po dështojnë. Ato nuk mund të jenë zgjedhje të lira e të ndershme, as gjithëpërfshirëse e të paqta. Ky është një dështim edhe për ambasadorët e vendeve tona partnere, të cilët kanë luajtur një rol të madh në zhvillimet tona politike. Ata e dinë shumë mirë se Shqipëria qeveriset nga njerëz të korruptuar e të inkriminuar të cilët janë arrogantë, brutalë e mizorë me qytetarët shqiptarë, por servilë e të përunjur ndaj diplomatëve të huaj. Këta diplomatë është dashur të ushtrojnë ndikimin e tyre pozitiv për reformën zgjedhore dhe për pastrimin përfundimtar të zgjedhjeve në Shqipëri. Kjo nuk ndodhi. Ndodhi e kundërta.

Qeveria dhe ambasadorët e përbuzën totalisht dosjen e zgjedhjeve dhe atë të reformës zgjedhore. Kjo është e paimagjinueshme. Kujt i intereson që ky vend të vazhdojë të lëngojë në thundrën e këtyre regjimeve të korruptuara sepse nuk bën dot zgjedhje të lira e të ndershme?! Populli shqiptar ushqen ndjenjat më të larta të miqësisë, respektin, dashurinë dhe mirënjohjen më të thellë për SHBA-të dhe për popujt e BE-së. Me zemër, vullnet dhe vetëdije të thellë kombëtare, historike, kulturore e politike, shqiptarët kanë zgjedhur si orientim final për të ardhmen e tyre integrimin e plotë e përfundimtar në aleancën e NATO-s dhe në BE. Unë jam i sigurtë se partnerët tanë strategjikë ndërkombëtarë nuk kanë nevojë për servilë të korruptuar e të inkriminuar në politikën dhe në qeverinë e Tiranës. Përmbushjen dhe mbështetjen e interesave të ligjshme të partneriteteve tona strategjike, do e kishte për nder dhe privilegj çdo pushtet, zyrtar i lartë dhe institucion në Shqipëri. Unë besoj se kuotimi i servilizmit të përdalë të qeveritarëve tanë të korruptuar dhe të inkriminuar ndaj ambasadorëve dhe interesave të huaja, nuk është as në shërbim dhe as në interes të partneriteteve tona strategjike. Përkundrazi, është në dëm të tyre dhe në dëm të popullit tonë.

Nuk i ndihmojnë punët e popullit tonë deklaratat e liderit të koalicionit të majtë kur thotë se unë, (nënëkuptoni atë) nuk e lexoj kushtetutën, ose kur thotë se unë i firmos në të bardhë ndryshimet e kushtetutës dhe këtë letrën e bardhë të firmosur ja jap ta shkruajnë partnerët tënë ndërkombëtarë. Të njëjtat deklarata ka bërë kryeministri ynë edhe për kodin zgjedhor, infrastrukturën dhe reformën zgjedhore, ekonominë kriminale të marijuanës etj. Këto nuk tregojnë përkushtim për zhvillimin e interesave të partneriteteve strategjike të Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Kjo është një kartë që politikanët e Tiranës e luajnë për t’u shitur këtu si të përzgjedhurit e fuqive më të epërme të kohës dhe për ta përdorë këtë kartë si alibi për të përligjur paudhësitë, tradhëtitë dhe punët e mallkuara që bëjnë në drejtimin e vendit. Keta zyrtarë të lartë janë të marrë e të poshtër që na kujtojnë të gjithëve për budallenj.

Qytetarët dhe zgjedhësit shqiptarë nuk e pëlqejnë dhe e refuzojnë protagonizmin e papërligjur të ambasadorëve që as nuk janë të zgjedhur dhe të ngarkuar nga populli shqiptar për të luajtur atë rol që luajnë shpesh herë, në tejkalim flagrant e të plotë të vijave të kuqe që përcakton konventa e Vjenës për sjelljen dhe veprimtarinë e diplomatëve të huaj në vendin pritës dhe as nuk duhet të ndërhyjnë në punët e brendshme të Shqipërisë. Ambasadorët e huaj nuk zgjidhen nga populli shqiptar, as nuk përfaqësojnë interesat e shtetit shqiptar domosdoshmërisht, në qëndrimet që mbajnë. Ata nuk mbajnë asnjë përgjegjësi për dështimet tona. Ambasadori i OSBE-së, zoti Borchart duhet të na thotë se si mund të shkojë Shqipëria në Europë me këto zgjedhje ku dy partitë e mëdha vjedhin dhe shqyejnë votat e partive të tjera?! Standardet e zgjedhjeve shqiptare nuk janë të pranueshme në asnjë vend demokratik të botës. Ç’mendon OSBE për këtë? Ka ndonjë përgjegjësi ajo? Misioni i OSBE/ODIR-it nuk është investuar dhe nuk ka luajtur rolin e duhur për pastrimin përfundimtar të zgjedhjeve në Shqipëri. Kudo në vendet e Lindjes kishte probleme me zgjedhjet, por kudo këto probleme u zgjidhën. Edhe në Ballkan asnjë vend nuk ka problem me zgjedhjet.

Shqipëria është i vetmi vend në kontinent ku vidhen zgjedhjet. Ambasadori i OSBE-së do të vlerësohesh shumë në rast se në vend të mbështetjes për justifikimet e qeverisë, ai do ndihmojë që të bëhet reforma zgjedhore dhe sivjet në Shqipëri të zhvillohen zgjedhje vërtet të lira e të ndershme dhe gjithëpërfshirëse. “Zgjidhja” edhe një herë e fton Ramën që të tërhiqet, të mos jetë më problemi, por të bëhet pjesë e zgjidhjes. Ne i kërkojmë që të bëhet reforma zgjedhore, të shtyhen zgjedhjet për në vjeshtë, të sigurohet infrastruktura zgjedhore me elementët dhe teknologjitë që do të garantonin pastrimin përfundimtar të zgjedhjeve, të zëvendësohet administrata zgjedhore partiake me administrimin shtetëror të zgjedhjeve dhe të merren të gjitha masat ligjore që do garantonin një herë e përgjthmonë zgjedhje të lira e të ndershme në Shqipëri. Në të kundërt Rama do të marrë përsipër të gjitha përgjegjësitë për pasojat që mund t’i vijnë vendit dhe qytetarëve nga kjo krizë. E majta, përpara Ramës, ka ditur t’i zgjidhë krizat me mjete politike efikase dhe jo me kokëfortësi. Në 8 vitet e qeverisjes së kaluar të Partisë Socialiste, katër herë u ndryshua qeveria e saj me qeveri dhe kryeministra të tjerë të së majtës. Edhe sot kjo është plotësisht e mundur.

Partia Socialiste mund të krijojë një qeveri të shumicës së majtë që garanton besim dhe zgjedhje të lira e gjithëpërfshirëse në vjeshtë, zgjedhje që do i mundësonin të majtës të qeverisë edhe katër vite të tjera në paqe. Dje Ilir Meta u zgjodh president i vendit. Kjo ishte parashikuar në marrëveshjen PS-LSI të katër viteve më parë. Unë i uroj suksese zotit Meta në këtë detyrë të lartë dhe në sfidën e tij për të qenë një figurë dhe simbol i bashkimit kombëtar. Ilir Meta dhe LSI janë aq të lidhura me njëra-tjetrën. Opinioni publik pret të mësojë se çfarë roli do luajë zoti Meta dhe LSI tani për tejkalimin e krizës politike. A do mundet presidenti i ri të ndihmojë që populli ynë të shkojë i bashkuar në zgjedhjet e sivjetme? Nëse shqiptarët do të përçahen në zgjedhje, Meta do të ketë një presidencë të vështirë. Unë uroj që zgjedhja e tij t’i shërbejë çtensionimit të situatës dhe bashkimit të popullit në zgjedhje.

Të ruhemi nga ata që duan të nxjerrin përfitime nga përçarja e popullit tonë. Kriza aktuale është e rrezikshme, e thellë dhe e shumëfishtë. Ajo fillon qysh në vitin 1994 dhe ka të bëjë me kalbëzimin e sistemit politik në Shqipëri. Gjithë këto megaabuzime elektorale në të cilat përfshihen mijëra e mijëra njerëz nga të dy palët dhe nga të tërë institucionet, nga administrata zgjedhore, ekzekutivi, kolegjet zgjedhore, policia, prokuroria, mediat, grupet parlamentare etj., kanë shkatërruar përfundimisht besimin e ndërsjelltë, klimën dhe aftësinë e bashkëpunimit mes PS-së e PD-së për të shkuar në një proces të përbashkët e të ndershëm zgjedhor. Kjo krizë është shprehje e degradimit moral të shoqërisë shqiptare. Janë me dhjetëra mijëra militantë të të dy palëve që konsiderohen heronj kur vjedhin dhe manipulojnë votat, kur blejnë, korruptojnë, dhunojnë e intimidojnë komisionerët kundërshtarë. Këta shpërblehen me vende pune e favore nga pushteti për krimet elektorale që kryejnë. Me mijëra të tjerë janë familjarizuar me shitjen e votës me lekë sepse e dinë që politikanët janë kusarë, mashtrues dhe gënjeshtarë dhe sapo mbarojnë zgjedhjet s’ja hedhin më sytë popullit. Manipulimi i zgjedhësve me favoret e pushtetit, me paratë e korrupsionit e të drogës dhe me çdo lloj implikimi tjetër moral e bën edhe më të thellë ndarjen e palëve.

Këto të këqija ushqejnë njëra tjetrën. Kriza aktuale është e lidhur me mungesën e thellë të shpresës dhe besimit. Abuzimet e pafundme me pushtetin, varfëria, kriza ekonomike dhe papunësia, rrënimi moral dhe kalbëzimi i gjithanshëm ka shkatërruar shpresat dhe besimin e njerëzve. Të gjithë duan të ikin nga ky vend. Të gjithë duan të emigrojnë. Edhe ata që kanë bërë para e sukses nuk duan të rrinë më këtu. Tashmë janë duke ikur. Ky vend po braktiset dhe po thahet nga njerëzit e zotë. Në vitin ‘97, në krizën e piramidave, njerëzit humbën të gjitha paratë. Në 2017 njerëzit e këtij vendi kanë humbur të gjitha shpresat. Nuk gjejnë më arsye për të ndenjur këtu. Ky konflikt që po e çon popullin ne një përçarje të thellë, në një spirale të re frike e pasigurie, do të nxisë më shumë braktisjen e vendit dhe nga ana tjetër, kjo braktisje do të rrënojë e shkatërrojë edhe më shumë shpresat e njerëzve. Kjo krizë është e kushtëzuar nga varfëria ekstreme që ndikon këtë degradim të gjithanshëm moral të shoqërisë shqiptare. Ekonomia e vendit është copë-copë.

E vetmja gjë e vërtetë janë mashtrimet e qeverisë për rezultatet e mira në ekonomi. Të ardhurat për frymë kanë 10 vite që nuk rriten asnjë dollar. Papunësia është shumë e lartë. Në 10 vitet e fundit Shqipëria nuk ka rritur vendet e punës. Sot ka aq të punësuar sa 10vite më parë. Papunësia mbetet shumë e lartë dhe rrogat shumë të ulëta. Qeveria jep vetëm koncensione korruptive dhe pa asnjë përfitim esencial për shtetin. Borxhet rriten çdo vit. Burimet zvogëlohen. Të gjitha sipërmarrjet vuajnë. Të lumtur janë vetëm një grusht biznesesh të lidhura me qeveritarët. Dje kreu i BERZH-it Mateo Co’langeli tha se “Megjithëse BERZH-i u krijua për të ndihmuar kalimin në ekonomi tregu për vendet ish-komuniste, në Shqipëri 80 për qind e portofolit të kredive shkon për qeverinë…Mos më keqkuptoni, por 20 për qind për sektorin privat janë shumë pak”-shprehet kreu i BERZH. Sipërmarrjet e vendit sidomos në fushën e bujqësisë janë më të ekspozuarat ndaj rreziqeve dhe më të harruarat. Ngrica e parapak ditëve jua shkatërroi plotësisht plantacionet me mollë, kumbulla dhe qershi fermerëve, më së shumti këtu në Korçë.

Ne Dvoran sivjet thuajse janë të falimentuar të gjithë. Po kështu në Polenë dhe në Pirg. Qeveria e ka braktisur edhe bujqësinë edhe fshatin. Ajo di vetëm të marrë borxhe, të japë konçensione në dëm të interesit publik dhe të bëjë tendera korruptivë. Kjo krizë e shumëfishtë ka prodhuar një ushtri të dëshpëruar e agresive që e bën akoma më shpërthyes konfliktin, ndërkohë që konflikti, kriza politike dhe konfrontimi e bën akoma më depresive ekonominë tonë mjerane dhe rrezikon të gjitha projeksionet për vitin 2017 dhe për vitet e tjera. Shtojani kësaj situate edhe efektet që krijojnë një tërësi rrethanash të tjera dhe atëhere perceptimi i rrezikut të krizës bëhet edhe më i qartë. Në këtë drejtim shkojnë ndikimi i dhunës dhe tensionit në Maqedoni, implikimet mediatike amatoreske të kryeministrit tonë në koordinimin e faktorit shqiptar në Maqedoni, provokimi i panevojshëm i frustimeve diplomatike në marrëdhëniet me Greqinë, historia e paprecedentë e deklaratave të kryeministrit shqiptar kundër Presidentit Donald Trump gjatë fushatës së zgjedhjeve në Amerikë etj. etj. Të dashur pjesëmarrës, “Zgjidhja” dhe unë bëmë shumë përpjekje për ta reformuar Partinë Socialiste nga brenda dhe nga poshtë. Çdo përpjekje në këtë drejtim nuk mund të japë më rezultate. Partisë Socialiste nuk i ka mbetur më asgjë, as nga standardet e një partie politike dhe as nga idealet e majta. Ajo është sot partia e oligarkisë që prodhoi ky tranzicion nga radhët e politikanëve të korruptuar. Partia Socialiste është ndërmarrja private e kryetarit, nuk ka më demokraci të brendshme, s’ka institucione, nuk ka liri fjale e mendimi, nuk ka më rregulla, standarde e zgjedhje. Në atë parti ka vend vetëm për servilët dhe të parapëlqyerit e kryetarit.

Nuk ka më zgjedhje, ka vetëm të emëruar. Udhëheqja nuk e përfaqëson bazën, vetëm e shfrytëzon dhe e përdor atë. Karriera e njerëzve nuk bazohet te merita, kontributet dhe vlerat e individëve, por vetëm te interesi i pushtetit të kryetarit. Forumet nuk bëjnë më mbledhje pune, nuk kanë më debat e vendimmarrje kolegjiale. Tani ato bëjnë vetëm aktivitete propagandistike për meritat e kryetarit dhe të ministrave. Njerëzit që mendojnë ndryshe nga kryetari ju rezervohet përndjekja, shantazhi, pushimi nga puna, kërcënimi, shpallja armik i partisë, shkarkimi nga funksionet dhe përjashtimi nga forumet. Anëtarët e Zgjidhjes nuk duan t’ia dinë për këto sulme. Ata janë të vetëdijshëm për misionin dhe nuk tërhiqen nga rruga e tyre për asnjë arsye. Edhe një herë ju bëj thirrje të gjithë socialistëve dhe qytetarëve të bazës të mos tremben nga të fortët e pushtetit, nga arroganca, brutaliteti dhe sjelljet e tyre mizore. Ne frymëzohemi nga shembulli i rezistencës së kolegëve tanë të cilët e kanë marrë në sy rrezikun dhe e kanë sfiduar pushtetin despotik të lidershipit të PS-së, nuk i kanë tradhëtuar e braktisur idealet tona për një Shqipëri demokratike edhe pse janë përndjekur e pushuar nga puna. Frikacakët e provojnë “vdekjen” shumë herë, trimat “vdesin” vetëm një herë në jetë. Në kushtet kur Partia Socialiste është kthyer në një bashkësi parapolitike, nuk ka më asnjë hapësirë demokratike, nuk ka më asnjë lidhje me të majtën dhe me shtresat e varfëra dhe të pambrojtura të shoqërisë, në kushtet kur kjo parti përfaqëson vetëm interesat e oligarkisë së korruptuar, interesat e koncensioneve, monopoleve dhe oligopoleve që i kanë marrë frymën konkurencës së lirë dhe ekonomisë së vendit, grupi nismëtar i Lëvizjes tonë politike ka vendosur që “Zgjidhja” të shkëputet nga Partia Socialiste e Shqipërisë dhe të shndërrohet në parti politike. Nga dita e sotme “Zgjidhja” do të jetë parti politike. Sot kemi firmosur dokumentet e themelimit. Ne nuk donim të largoheshim nga Partia Socialiste.

Por lidershipi i saj na goditi dhe nuk na lejoi të punonim brenda saj. Ai i shkarkoi arbitrarisht nga funksionet dhe i largoi nga forumet njerëzit tanë, nuk e pranoi mendimin ndryshe, refuzoi tezat e saj, nuk e pranoi “Zgjidhjen” as si mendim, as si platformë, as si lëvizje dhe korent politik, as si realitet. Për atë ne nuk ekzistonim. “Zgjidhja” dhe unë kemi zhvilluar si askush tjetër në këtë vend e në këto tre vite mjaft ide, projekte e vizione, analiza e teza që kanë ushqyer mendimin dhe debatin politik për reformimin e sistemit politik, demokratizimin e qeverisjes, reformimin e të majtës, përmirësimin rrënjësor të ekonomisë dhe mirëqënies së popullit. Lideri i PS-së nuk kishte veshë të dëgjonte dhe sy të shikonte. Ai injoroi “Zgjidhjen” si realitet edhe pasi ajo arriti në 15 mijë anëtarë dhe me dhjetëra mijëra mbështetës në Shqipëri. Të gjithë këta njerëz të refuzuar nga lidershipi i PS-së kanë të drejtën e tyre të përfaqësohen e shprehen politikisht. “Zgjidhja” ka përgjegjësi ta plotësojë këtë të drejtë dhe nevojë të këtyre njerëzve. Të gjitha përgjegjësitë për këtë përçarje të PS-së i ka vetëm lidershipi i saj. Ne ju bëmë thirrje shumë herë, por ata nuk dëgjuan. Edi Rama na largoi nga Partia Socialiste.

“Zgjidhja” do të mbetet mbështetëse besnike e idealeve të majta dhe e aspiratave të shqiptarëve për të pasur një shtet modern dhe një vend të pasur e të zhvilluar. Këto janë orë të vështira për popullin tonë. Ai eshtë në një situatë të paprecedentë që nga rënia e komunizmit. Këtij populli të shumë vuajtur po i mohohet e drejta legjitime për të shkuar në zgjedhje i bashkuar. Pa dyshim që kjo situatë është e llogaritur dhe e sponsorizuar nga interesa të caktuara. Koha do e ndriçojë këtë skenar. Historia do t’i gjykojë përçarësit. Asnjë qëllim i mirë nuk e justifikon këtë situatë. Nuk ka asgjë më të gabuar dhe më antishqiptare se përçarja e popullit shqiptar në zgjedhje. Qytetarët janë të shqetësuar. Shqetësimi, frika per të ardhmen dhe tulatja kanë pushtuar njerëzit sot. Oligarkia e korrupsionit dhe e hashashit pasi ka shkatërruar gjithçka në këtë vend, pasi ka pushkatuar edhe shpresën e fundit, tani po e çon popullin në përçarjen më të madhe të këtyre 25 viteve, në përplasje, konflikt e vëllavrasje. “Zgjidhja” do të qëndrojë në krye të luftës për bashkimin e popullit, rivendosjen e pluralizmit dhe çuarjen e vendit të bashkuar në zgjedhje. Kjo sot është sfida e gjithë shqiptarëve.

Misioni i “Zgjidhjes” është të shembë dhe rrëzojë regjimin e partitokracisë, të vendosë demokracinë kushtetuese, të pastrojë përfundimisht zgjedhjet me qëllim që në Shqipëri të mos ketë më zgjedhje të manipuluara e të diskutueshme; të demokratizojë e modernizojë përtitë politike dhe t’i mundësojë popullit rolin e tij në demokracinë kushtetuese, të ketë të drejtë të zgjedhë lirisht përfaqësuesit përmes primareve, të votojë në referendume vendore e qendrore çështjet dhe ligjet e rëndësisshme. Zgjedhje pa opozitën nuk mund të bëhen dhe nuk duhet të bëhen. Zgjedhjet e 18 qershorit pa opozitën janë absolutisht të papranueshme. “Zgjidhja” nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet që nuk janë gjithëpërfshirëse, nuk do marrë pjesë kurrë në zgjedhje që e përçajnë popullin tonë. Përplasja e popullit në zgjedhje është e barabartë me tradhëtinë kombëtare.

“Zgjidhja” nuk do t’i braktisë kurrë njerëzit që do luftojnë për një Shqipëri të lirë dhe sovrane, njerëzore dhe të shpresës. Ne nuk do i lemë vetëm për asnjë çast shqiptarët që besojnë në vlerat e larta njerëzore, që besojnë te e ardhmja e vendit dhe te puna e ndershme, njerëzit që duan shtetin modern të së drejtës dhe drejtësinë sociale, ata që besojnë te liria dhe forca e bashkuar e populli dhe e kombit tonë. I ftoj të gjithë shqiptarët që duan një Shqipëri tjetër të anëtarësohen te “Zgjidhja”. I ftoj qytetarët që besojnë te idealet kombëtare dhe popullore t’i bashkohen “Zgjidhjes”. Ftoj rininë e vendit, rininë universitare, shkollore dhe atë të punës që t’i bashkohet “Zgjidhjes”. Forca dhe mbështetja më e madhe e “Zgjidhjes” qëndron tek rinia. Rinia e Shqipërisë është zgjidhja! Pse duhet t’i bashkoheni “Zgjidhjes”? Sepse “Zgjidhja” është platforma më demokratike në Shqipëri, është e vetmja platformë dhe parti thellësisht demokratike dhe moderne. Të gjithë përfaqësuesit e “Zgjidhjes” do të zgjidhen nga baza e partisë dhe nga populli, jo nga kryetari. Kandidatët për deputetë, kryetarë bashkie, kryeministër etj. nuk do t’i caktojë kryetari, por populli përmes zgjedhjeve paraprake ose përmes primareve.

Pse duhet t’i bashkoheni “Zgjidhjes”? Sepse nuk ka asnjë parti tjetër shqiptare që t’i ngjajë “Zgjidhjes”. Ne jemi më të mirët. Ne do t’i japim fund tranzicionit shqiptar. Nga një vend antidemokratik, të korruptuar e të varfër, “Zgjidhja” do ta kthejë Shqipërinë në një vend thellësisht demokratik që t’i dojë, t’i mbajë dhe t’i mbrojë shtetasit e saj. Ne do të hapim tregun dhe lirinë e konkurencës që të çlirohet administrata dhe qeveria nga tutkunët, servilët e të paaftët, mafiozët e drogës dhe të korruptuarit dhe në krye të punëve të popullit të vinë djemtë dhe vajzat më të mirë të saj, të zhduken monopolet, konçensionet dhe oligopolet e kryetarëve dhe ministrave dhe në treg të sundojë liria e konkurencës. Ne do vëmë në krye njerëzit që dinë të punojnë dhe të bëjnë pasuri për popullin. Për të gjitha këto dhe për plot arësye të tjera duhet t’i bashkoheni “Zgjidhjes”! Këto gjëra do i bëni ju. Ju jeni misjonarë. Ju nuk jeni numra. Çdo anëtar i “Zgjidhjes” është një misionar. Misioni i anëtarëve të “Zgjidhjes” është të bëjmë Shqipërinë që duam. Ju jeni zgjidhja! Ne jemi zgjidhja! Unë jam zgjidhja! Ti je zgjidhja. “Zgjidhja” po vjen! Ka nisur shtegëtimi i saj. Zogjtë shtegtojnë me racën e tyre – thotë një profet. Korbi shtegton me korbat. Shqiponja shtegton me shqiponjat. Shqiponjat e “Zgjidhjes” sot kanë nisur shtegtimin e tyre në rrugën ku duam të eci Shqipëria jonë. Në këtë shtegtim do na bashkohen të gjitha shqiponjat e vendit, të gjitha shqiponjat e “Zgjidhjes”! Rroftë “Zgjidhja”! Rroftë Shqipëria! Faleminderit!

0
Koço Kokëdhima: Stop koncesionit të ri të analizave shëndetësore

Koço Kokëdhima: Stop koncesionit të ri të analizave shëndetësore

Themeluesi dhe drejtuesi i lëvizjes Zgjidhja, Koço Kokëdhima, ka reaguar pas vendimit të djeshëm të Ministrisë së Shëndetësisë. Kokëdhima thekson se Rama i ka dhuruar në mënyrë antiligjore miqve të tij një koncesion 100 milionë dollarë për analizat mjekësore të njerëzve më të varfër të këtij vendi. Më tej drejtuesi i “Zgjidhjes” shprehet se kryeministri kaloi caqet e paturpësisë dhe talljes me popullin në momentin që kërcënoi me burg çdo qytetar që shkon në manifestimet e opozitës.

Kokëdhima thekson se Rama i ka dhuruar në mënyrë antiligjore miqve të tij një koncesion 100 milionë dollarë për analizat mjekësore të njerëzve më të varfër të këtij vendi.

Më tej drejtuesi i “Zgjidhjes” shprehet se kryeministri kaloi caqet e paturpësisë dhe talljes me popullin në momentin që kërcënoi me burg çdo qytetar që shkon në manifestimet e opozitës.

Reagimi i plotë

Kryeministri i kaloi edhe një herë caqet e paturpësisë dhe të talljes me popullin tonë. Në momentin kur ai kërcënon me burg çdo qytetar që shkon në manifestimet e opozitës, Rama, pa pikën e turpit dhe në mënyrë antiligjore u dhuron miqve të tij një koncesion 100 milionë dollarë për analizat mjekësore të njerëzve më të varfër të këtij vendi. Unë e denoncoj me rreptësinë më të madhe këtë maskaradë që konsiston të nxjerrësh dhjamë nga shtresat më në nevojë që s’kanë se ku t’i bëjnë analizat veçse në shtet. Edhe në spitale tona shtetërore, aty ku laboratorët e analizave që do mbyllen punësojnë personel mjekësor në shërbim të popullit, kryeministri gjeti mënyrën më të keqe për të bërë para për grupet private të biznesit. Nuk janë vetëm 100 milionë dollarë të popullit që fluturojnë, por janë po ashtu dhe me dhjetëra e qindra gra e burra që punojnë në këta laboratorë publikë që do hidhen në rrugë. Jetët e tyre vlejnë shumë më shumë se fitimet e miqve të Edi Ramës.

ZGJIDHJA i thotë stop këtij mercenari të interesave private. Kjo nuk është e majta për të cilën duam të luftojmë dhe për të cilën unë militoj prej vitesh. Kjo nuk është Partia Socialiste që e ndihmova me gjithë forcën e idealeve të mia që të vinte në pushtet në 2013 për t’u vënë në shërbim të njerëzve dhe jo të organizatave fitimprurëse. Kjo është plaçkitje e vendit. Nuk kam tjetër fjalë për të karakterizuar koncesionin e ri të dhënë dje, 100 milionë dollarë për analizat jetike shëndetësore të njerëzve. I gjithë buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë nuk i kalon 30 milionë dollarë. Dhe Rama me një të rënë të lapsit i jep mbi trefishin e kësaj shumë vetëm një kompanie private që e ka kapitalin 100 mijë lekë. Në katër vjet mandat, vetëm në fushën e shëndetësisë ky është koncesioni i katërt shumë milionë dollarësh pas atyre të “check up”-it, të hemodializës dhe sterilizimit të pajisjeve mjekësore. Tani Edi Ramës i ka mbetur që të japë me koncesion vetëm komisionet e qendrave të votimit. Këto koncesione po i pijnë gjakun këtij vendi! Përfitoj nga rasti për t’i siguruar personelet e laboratorëve publikë të analizave mjekësore se lëvizja ZGJIDHJA është dhe do të mbetet totalisht në krah të tyre dhe në mbrojtje të laboratorëve që janë dhe do të mbeten pronë e popullit shqiptar. Këta laboratorë do të duhej t’i merrnin ato 100 milionë dollarë që kryeministri do t’ua japë miqve të tij. Me këto para duhej të modernizoheshin dhe mirëadministroheshin laboratorët e shtetit. Por kjo qeveri e mbushur me tutkunë nuk është në gjendje dhe nuk di të zhvillojë dhe menaxhojë pronën publike.

0
Bashkëbisedim me socialistët dhe anëtarët e lëvizjes “Zgjidhja” në Lushnjë

Bashkëbisedim me socialistët dhe anëtarët e lëvizjes “Zgjidhja” në Lushnjë

Të gjithë e kemi ndjekur shkarkimin e Kryetarit të Qarkut Vlorë, Sadrit Danaj. Ajo është një ngjarje e shëmtuar, e paligjshme dhe plot manipulime. Opinioni publik do t’i mbajë mend sjelljet e Gjiknurit që përdori edhe badigardët për të dhunuar e mposhtur qëndresën e Sadritit ndaj një procesi të falsifikuar zgjedhor. Feruz Bashon e panë të gjithë me zë e me figurë kur e fshehu në kanotieren e tij votën e pavlefshme për ta zëvendësuar më pas me një votë tjetër të vlefshme.

Për ta bërë këtë maskaradë, Rama e emëroi Feruz Bashon drejtor të OSHEE-së. Ky emërim ishte në vazhdën e emërimeve skandaloze të Ramës në administratë. Unë si deputet punova 3 vite me Feruzin. Ai mbante detyrën e kryetarit të PS-së për qytetin e Sarandës. Meqenëse për shkak të reformës ai do ikte nga drejtimi i PS-së, ne e përfshimë në listën e këshilltarëve të bashkisë së Sarandës në zgjedhjet vendore të vitit 2015.

Në kohën e qeverisë “Nano”, Feruz Basho kishte punuar drejtor i Pyjores. Në Sarandë qarkullonin shumë legjenda për bëmat e Feruzit me keca e qengja. Unë i konsiderova këto legjenda dhe nuk lejova që Feruzi të emërohej drejtor. Negociova me një kompani private dhe rregullova një punë të mirëpaguar për Feruzin. Bashkëshortja e Feruzit punon përgjegjëse në Institutin e Sigurimeve Shoqërore në Sarandë, ndërkohë që vajza e tij u punësua në vitin 2015 në Institutin e Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor në Tiranë.

Feruzi nuk duhej vendosur në shtet ku punonin edhe dy pjesëtarë të tjerë të familjes së tij, aq më shumë të vendosej drejtor OSHEE-je kur në gjithë jetën e tij ishtë marrë vetëm me kullota, me pyje, me dhi e me dhen. Saranda nuk është një vend i humbur, është një vend ku ka specialistë e menaxherë të përgatitur edhe nga fusha e energjitikës. Por Ramës i duhej sjellja kamikaze e Feruzit për të falsifikuar procesin e votimit në Këshillin e Qarkut Vlorë dhe prandaj e vendosi drejtor në shtet. I bëj thirje prokurorisë së Vlorës të marrë të pandehur personat përgjegjës që manipuluan votimin për shkarkimin e Sadrit Danajt.

Sadrit Danaj u soll si shqiponjë. Ai, i vetëm, u përball për mbi 4 orë me një bandë pushtetarësh të skllavëruar dhe agresivë, servilë të kapur, frikacakë e pa personalitet. Sadriti tregoi një shembull frymëzues guximi e qytetarie për të gjithë popullin tonë të nëpërkëmbur. Të tillë janë anëtarët e Zgjidhjes. Ata nuk tremben, e marrin në sy rrezikun, nuk intimidohen, nuk thyhen dhe nuk tërhiqen përpara këtyre burracakëve të turpshëm të tiranisë së skamjes dhe korrupsionit. Zgjidhja është e vendosur për t’u ndeshur dhëmbë për dhëmbë me kundërshtarët dhe armiqtë e lirisë së popullit tonë, për të fituar me ata që kanë bërë e bëjnë gjithë këto vepra të rënda në dëm të interesave të popullit dhe të njerëzve tanë.

Unë dua ta siguroj Edi Ramën se nuk do t’i harrojmë asnjëherë dhe për asnjë çast arrogancën, brutalitetin dhe arbitraritetin që ushtroi paturpësisht mbi drejtuesit e “Zgjidhjes”, mbi Nertilën, Jolën, Irenën, Silvanën, Tedin, Arditin, Gjergjin, Brigelsin, Thomain, Klementinën, Marinelën, Eltonin, Sadritin e sa e sa të tjerë, të cilët i kërcënoi, i shantazhoi, i shpalli armiq të partisë, i shkarkoi nga funksionet dhe i pushoi nga puna. Këta janë luftëtarë të demokracisë. Këta kanë respekt për lirinë e tyre dhe për lirinë e popullit. Më kot përpiqen ta izolojnë “Zgjidhjen”. Ajo nuk izolohet. Mbështetësit e “Zgjidhjes” shtohen çdo ditë me qindra e me mijëra. Më kot përpiqen të na trembin. Ata e kanë lepurin në bark! Ata tremben nga idetë e “Zgjidhjes”! Dhe nuk e kanë gabim! Bëjnë mirë që tremben dhe tmerrohen nga platforma dhe shqiponjat e “Zgjidhjes”.

Në vitin 1991 në Shqipëri u vendos pluralizmi, por jo demokracia. Shqipëria nuk është një vend demokratik. Në këto 26 vite këtu është në fuqi partitokracia ose sundimi i kryetarëve. “Zgjidhja” do e shembë regjimin e partitokracisë! Do e shembë pushtetin e kryetarëve. Do të vendosë demokracinë dhe sundimin e popullit. “Zgjidhja” do të luftojë deri në fund për pastrimin e zgjedhjeve. Në këtë vend kryetarët nuk do të munden më të vjedhin, trafikojnë apo blejnë votat tona! Nuk do të jetë më si tani kur populli voton dhe kryetarët numërojnë votat. “Zgjidhja” do t’i reformojë partitë politike. Edhe Partinë Socialiste. Nuk do jetë më si tani që populli voton, kryetari zgjedh! Do t’ia marrim pushtetin abuziv kryetarit dhe do t’ua kthejmë socialistëve të bazës. Zgjidhja do ta rindërtojë të majtën në Shqipëri.

Janë këto motive të ndritura që i bëjnë anëtarët e “Zgjidhjes” që të jenë shqiponja! Shqiponjat e “Zgjidhjes” për lirinë e Shqipërisë. Shkurt, “Shqiponjat e Zgjidhjes”! Në solidaritet të thellë e të plotë me të gjithë shoqet dhe shokët tanë që janë goditur e persekutuar nga kjo qeveri, ju ftoj të bëjmë me duar simbolin e shqiponjës. Nderim e mirënjohje për Shqiponjat e Zgjidhjes! Shëmbulli i tyre na frymëzon, na trimëron dhe është një apel i fuqishëm për të gjithë të majtët dhe qytetarët e thjeshtë të Shqipërisë, që të mos frikësohen nga brutaliteti dhe represioni i qeverisë.

Zgjidhja nuk do të ndalet. Bashkohuni me “Zgjidhjen”! I ftoj të gjithë burrat dhe gratë e këtij vendi, të rinjtë e të rejat e universiteteve, shkollave, qyteteve dhe fshatrave që të bashkohen me ‘Zgjidhjen” dhe ta përmbysim rregjimin dhe klasën politike të korruptuar të Shqipërisë, të pastrojmë përçudnimin dhe kalbëzimin e sistemit tonë politik dhe të vendosim një demokraci kushtetuese të denjë për popullin tonë. Këta që drejtojnë prej 25 vitesh, të majtët e të djathtët, janë kusarë dhe rrënjëdalë. Ne nuk trembemi nga askush dhe nga asgjë. Ta ngrejmë popullin në këmbë. Të bashkuar si një trup i vetëm me popullin tonë, me nevojat dhe idealet e tij do ta thyejmë në mes kastën sunduese të këtij tranzicioni!

Është shumë e qartë se lidershipi i PS-së ka likuiduar dhe eleminuar çdo liri mendimi, shprehjeje dhe demokracie të brendshme në parti. Ky lidership, mori nën kontroll dhe drejtim një parti politike të mirëfilltë, të organizuar dhe me hapësira për mendimin ndryshe dhe debatin. Mori partinë më të mirë në vend dhe e ktheu në një bashkësi parapolitike, në një parti ku mendon, flet dhe vendos vetëm kryetari, pa asgjë të përbashkët me partitë e majta europiane, përveç dorës që shtërngon trëndafilin te simboli i PS-së, e ktheu PS-në në një parti antidemokratike. Rama e ktheu partinë në një bandë të inkriminuar. Asnjë armik i të majtës shqiptare nuk do ta bënte më mirë se Rama një plan për shkatërrimin e partisë më të rëndësishme politike në vend, Partisë Socialiste.

Lidershipi i Partisë Socialiste përjashtoi nga funksionet, si të gjithë drejtuesit e tjerë të “Zgjidhjes”, edhe mua, sepse nuk dëshiron që të lejojë asnjë liri për mendimin ndryshe dhe debatin në parti. Kurrë ndonjëherë nuk ka qenë në këtë derexhe Partia Socialiste.

Në emrin tuaj dhe të të gjithë anëtarëve të “Zgjidhjes”, në çdo fjalim u kam kujtuar drejtuesve të Partisë Socialiste se dora ime e bashkëpunimit qëndron e shtrirë. Këtë nuk e kemi bërë nga pozitat e të dobëtit. Nuk e kemi bërë as me hipokrizi. E kemi bërë me urtësi dhe sinqeritet për të ndihmuar përmirësimin e qeverisjes dhe Partinë Socialiste që të reformohej dhe të kapërcente situatën e rëndë në të cilën ndodhet.

Lidershipi i PS-së gjithmonë ka bërë të paditurin dhe ka thënë se nuk e di kush është apo ku është “Zgjidhja”. Nuk i ka parë akoma lidershipi i PS-së mijëra e mijëra, dhjetëra mijëra socialistët dhe qytetarët e thjeshtë të Shqipërisë që mbushin sallat e mitingjet tona. Ai na përjashtoi pa asnjë procedurë, pa asnjë letër, duke na mbyllur dyert e forumeve të partisë brutalisht e forcërisht, me badigardët dhe të fortët e qeverisë.

Ne i ofruam atij bashkëpunim për të qëndruar në Partinë Socialistë dhe për të shkuar të bashkuar në zgjedhje. Në fund të marsit i propozuam një platformë për asamblenë dhe kongresin e jashtëzakonshëm që do t’i hapte rrugën demokratizimit dhe kohezionit të brendshëm të Partisë Socialiste. Edhe gjatë këtij muaji i kërkuam të pranojë “Zgjidhjen” dhe të diskutojmë në një kongres pune një plan të jashtëzakonshëm reagimi mbi situatën e brendshme, krizën politike dhe përmirësimit rrënjësor të qeverisjes së vendit.

Të gjitha ftesave tona, Edi Rama ju përgjigj me refuzim dhe me gjuhën e tij të drunjtë e të drurit, siç e patë edhe në shkarkimin e Sadrit Danajt, me motivacionin se: “ti Sadrit nuk i pëlqen kryetarit të partisë”!

Përgjigjia e fundit refuzuese e Ramës për “Zgjidhjen” vjen me vendimin e tij që kongresi i Partisë Socialiste i 29 prillit nuk do jetë një kongres pune, por një spektakël për sukseset e qeverisë! Ai i shkoi deri në fund planit të tij për të na likuiduar politikisht, për të na larguar nga PS-ja dhe për të mos na llogaritur se jemi gjallë. Por ne jemi këtu! Jemi në këmbë! Jemi të fortë e të vendosur, më të fortë se kurrë! Jemi në krah të socialistëve dhe qytetatëve të thjeshtë të Shqipërisë.

E ftoj për herë të fundit Edi Ramën të mos e përçajë edhe një herë Partinë Socialiste. Ai duhet ta dijë se kjo çarje do të jetë me pasoja për zgjedhjet e ardhshme. Me “Zgjidhjen” po bashkohen çdo ditë të gjithë socialistët e vërtetë, qytetarët e vendit që duan një Shqipëri normale dhe një qeverisje për popullin, ata që duan ministra dhe kryeministra të pjekur, të zotë, të aftë e me kontribute, me integritet, të përgjegjshëm, të ndershëm dhe punëtorë.

Me “Zgjidhjen” do bashkohen ata që duan që në këtë vend të marrë fund manipulimi dhe vjedhja e zgjedhjeve. Ata që duan që kandidatët për deputetë, kryetarë bashkie, këshilltarë, president apo kryeministra t’i zgjedhë populli dhe baza e partive përmes primareve mikse. Ata që duan që në Partinë Socialiste të mos ketë vend vetëm për kryetarin dhe servilët e tij, që në këtë parti përfaqësuesit të mos i emërojë kryetari, por t’i zgjedhë baza. Ata që duan që në këtë vend të respektohen e të jenë të shenjta liria e opinioneve dhe e shprehjes, liria e konkurencës në ekonomi dhe në politikë, liria e mediave, liritë politike e njerëzore.

Duke e përçarë Partinë Socialiste, Edi Rama do të jetë i humburi më i madh. Me “Zgjidhjen” po vjen baza e partisë, po vijnë ata që janë krenarë për trashëgiminë e ndritur të së majtës shqiptare, ata që kanë respekt e nderim për luftën Nacional-Çlirimtare, për heronjtë, dëshmorët, familjet e dëshmorëve dhe veteranët e kësaj lufte, ata që janë krenarë për veteranët e rindërtimit të vendit të dalë nga lufta, për ish-ushtarakët dhe mbrojtësit e atdheut tonë në dekadat e shkuara.

Me Partinë Socialiste të Udhëheqjes do të mbeten vetëm klientët e pushtetit, të paaftët që kanë zënë vende e poste me lekë, me tarafe e pa meritë, të punësuarit e kryeministrit dhe ata që janë katapultuar në PS, por që nuk kanë asnjë lidhje me të majtën, të korruptuarit dhe bosët e hashashit. Ndërkohë është e qartë për të gjithë se “Zgjidhja” bëri gjithçka kishte në dorë për të mos u shkëputur nga PS-ja. Rama nuk na la asnjë shteg tjetër veçse të shkëputemi nga PS-ja. Çdo shqiptar dhe çdo i majtë e di shumë mirë se Edi Rama po e përçan Partinë Socialiste dhe po e detyron “Zgjidhjen” të shkëputet nga Partia Socialiste. Ne nuk mund të lëmë pa përfaqësim politik dhjetëra mijëra anëtarë të “Zgjidhjes”.

Deri në datën 29 prill ne do marrim vendimet. “Zgjidhja” do të kthehet në parti politike. Rama punoi deri në fund për përçarjen e PS-së dhe për likuidimin politik të Kokëdhimës dhe të “Zgjidhjes”. Kokëdhima investoi gati 20 vjet pasuritë dhe gjithçka kishte për të mirën dhe bashkimin e të majtës, për fuqizimin dhe demokratizimin e Partisë Socialiste. Rama po e përçan përfundimisht PS-në, ndërsa unë lufova deri në fund për ta mbajtur atë të bashkuar. Historia do ta gjykojë Ramën si problemin dhe mua si zgjidhjen për të majtën dhe për Shqipërinë. Për shumicën e plagëve të rënda të popullit tonë, të ekonomisë dhe të sistemit politik në Shqipëri. Çdo socialist dhe qytetar në Shqipëri do ja faturojë Ramës këtë përçarje të Partisë Socialiste, jo mua.

Deri sot Zgjidhja ka regjistruar në bazat e saj të të dhënave 15 mijë anëtarë. Në fund të muajit prill presim të kemi 20-25 mijë anëtarë. Në pak javë “Zgjidhja” do të jetë formacioni i katërt politik i vendit. Çdo anëtar I zgjidhjes do punojë për të rekrutuar një anëtar të ri jashtë lidhjeve të tij të gjakut. Ne nuk duam rekrutime formale. Anëtarët e Zgjidhjes janë misjonarë. Ata do zgjidhin situatën e vështirë që ka populli ynë. Ata do të ndryshojnë sistemin politik në Shqipëri, do thyajnë në mes partitokracinë dhe do vendosin Demokracinë kushtetuese, sundimin e ligjit, lirinë e konkurencës në ekonomi, politikë e kudo dhe do begatojnë vendin. Anëtarët e Zgjidhjes do I kthejnë popullit pushtetin e grabitur nga kryetarët!

Një anëtar i “Zgjidhjes” nuk është një numër, nuk është një vegël që e përdorin kryetarët dhe servilët e kryetarëve për pushtetin e tyre, nuk është as “një përdorimësh”, dhe as “shumë përdorimësh”! Një antar i zgjidhjes është një luftëtar i ndërgjegjshëm për ta shkulur nga rrënjët varfërinë, maskarallëkun dhe korrupsionin e pushtetarëve, arrogancën, paaftësinë dhe tutkunët e qeverisë, nëpërkëmbjen dhe përbuzjen ndaj njerëzve të thjeshtë.

Një anëtar i Zgjidhjes është vetë Zgjidhja. Ja pse ti je Zgjidhja! Unë jam Zgjidhja! Ne jemi Zgjidhja! I ftoj të gjithë anëtarët e Zgjidhjes kudo që janë të zhvillojë një rekrutim cilësor, të rekrutaojë në 10 ditët e ardhëshme një anëtar të ri të Zgjidhjes, një luftëtar të vendosur për kauzat tona të lirisë e përparimit! Kjo është fushata më e rëndësishme e Zgjidhjes për 10 ditët e fundit të prillit. Shtoi shqiponjat e Zgjidhjes me një shqiponjë të re.
“Zgjidhja” do të bëjë gjithccka për ju. Unë do të bëj gjithccka për ju. Ju bëni për “Zgjidhjen” një anëtarësim të ri brenda këtyre 10 ditëeve, një anëtar të vendosur, një shqiponjë.

Zgjidhja është platforma politike më demokratike, është alternativa dhe programi politik që i duhet Shqipërisë për të dalë nga tranzicioni dhe për të përmbysur e përtërirë këtë klasë politike që vetëm na vjedh e na mashtron pa fund. I keni dëgjuar politikanët në këto vite se çfarë thonë? Çdo vit thonë se ekonomia u rit 3 për qind, 4 për qind, dy për qind etj. Këta janë vetëm mashtresa të paskrupullt. Në 10 vitet e fundit, nga viti 2006 e deri në sot në ballkanin përëndimor janë ritur vetëm 300 mijë vende pune. Vetëm dy shtete nuk kanë përfituar asnjë vend pune nga kjo ritje, vetëm Shqipëria dhe Bosnja.

Qeveritë tona na kanë dëndur me mashtrime. Të marrim edhe treguesin tjetër atë të ritjes ekonomike. Në këto vite ekonomia jonë është ritur vetëm në mashtrimet e qeverisë. Në vitin 2006 Shqipëria bëri 4203 dollarë të ardhura për frymë. Në vitin 2016 të ardhurat tona për frymë janë 4200 dollarë amerikanë. Qeveritë tona vetëm na manipulojnë. Këta pseftër janë të pandreqshëm. Populli ynë varfërohet, oligarkët e qeverisë pasurohen. Të fuqizojmë Zgjidhjen që ta përmbysim tiraninë e skamjes dhe korrupsionit. Çdo shqiponjë e Zgjidhjes të rekrutojë një anëtar të ri, të shtojë ushtrinë tonë të shqiponjave me një shqiponjë të re. Kam besim të palëkundur se ju do e plotësoni këtë detyrë të shenjtë që do e bëjë Zgjidhjen në pak kohë ndër forcën politike që do i japë tonin transformimeve të mëdha politike të muajve dhe viteve të ardhëshme në vend. Përpara se të mbushni formularin e anëtarit të ri, shpjegojini me durim 5 kushtet që duhet të plotësojë një anëtar i Zgjidhjes, 5 kushtet se si mund të bëhesh një shqiponjë e re e Zgjidhjes. Ky është vendimi më i rëndësishëm që po marrim sot për të gjithë anëtarët e Zgjidhjes në Shqipëri. Drejtuesit e strukturave tona në çdo nivel të planifikojnë këtë superaksion të këtyre 10 ditëve. Rroftë Zgjidhja! Rrofshin shqiponjat e Zgjidhjes!

Të dashur pjesëmarrës!
Kriza është tani e qartë dhe e plotë. Nuk e di se çdo të thonë drejtuesit e qeverisë tani. Për javë të tëra ata thoshin se Shqipëria s’ka krizë, PD ka krizë, Kriza e PD-së nuk është dhe nuk do kthehet në krizë politike për vendin. Pas kaq javësh këto deklarata është pak të thuhet se duken qesharake. Tani nuk ka dyshim askush se kemi një krizë të rëndësishme, zgjedhjet e 18 qershorit kanë rënë përfundimisht. Rama thoshte se në 18 qershor do bëhen zgjedhjet. Tani vetëm bufi e beson se zgjedhjet mund të bëhen përpara vjeshtës. Siç duken gjasat do të ndodhin të gjitha parashikimet dhe konkluzionet e përcaktimet që ka bërë “Zgjidhja”.
Të gjitha deklaratat e Ramës duket se kanë rënë në ujë dhe nuk rezistuan dot asnjë ditë. Ai e ka lënë në errësirë PS-në, pa vizion, pa strategji, pa plan. E transferoi iniciativën dhe kauzën për zgjedhjet e lira dhe të ndershme në duart e PD-së, duke e vënë në një pozitë shumë të ulët e të pamerituar morale e politike PS-në. Tani do të pranojë me siguri Reformën Zgjedhore, votimindhe numërimin elektronik dhe një paketë tjetër masash ligjore.
Ajo që nuk po e dëgjojmë akoma nga opozita është artikulimi i vullnetit që administrata zgjedhore të mos jetë më partiake. Të jesh komisioner apo numërues i PS-së apo

PD-së është diçka me shumë rëndësi për personat në fjalë. Numëruesit dhe komisionerët kanë privilegje të veçanta në punësime dhe në përfitime të tjera nga pushteti përveç faktit se shumë prej tyre tradicionalisht kanë nxjerrë edhe shumë përfitime të paligjshme duke bërë pazare me votat e pambrojtura të partive të vogla dhe të kandidatëve të pavarur.

Në zgjedhjet e vitit 2013 Feruz Basho kishte përfshirë në listat e komisionerëve të PS-së disa të fortë. Kur e kontrollova listën unë i hoqa këta persona të cilët ishin në fakt militantë socialistë prej vitesh. Pasi unë i zëvendësova, në mbrëmje vonë erdhën në grup dhe, pasi rrëzuan me shkelma derën e jashtme të selisë të PS-së, protestuan gjatë për t’u rivendosur në lista. Sigurisht që unë nuk bëra asnjë tërheqje. Komisionerët dhe numëruesit janë një barrë e rëndë për partitë politike, procesin zgjedhor dhe popullin shqiptar.

Në asnjë vend demokratik në botë nuk ndodh që dy apo 4 partitë e mëdha të numërojnë votat e partive të tjera. Komisionet e votimit duhet të jenë shtetërore dhe të ngrihen me gjykatës, prokurorë, noterë, avokatë, pedagogë të universiteteve, studentë të ekselencës të fakulteteve juridike etj. Votimi dhe numurimi elektronik krijon kushte që departizimi i administratës zgjedhore të bëhet me reformën zgjedhore të këtij viti. Kjo reformë do të kursejë edhe gjithë atë energji të pashembullt njerëzore që harxhohet me ditë e netë të tëra në qendrat e numërimit dhe ato skena të shëmtuara kur numëruesit ja shtrojnë me pula e me raki në tavolinat e numërimit!
Na duhet ta zgjidhim një herë e përgjithmonë çështjen e zgjedhjeve. Shqipëria meriton zgjedhje të lira e të ndershme me standarde si në çdo vend tjetër europian. Nuk duhet të dëgjohet më kënga e OSBE/ODIHR-it se zgjedhjet e radhës ishin me probleme, por të pranueshme. OSBE/ODIHR-i nuk e ka ndihmuar Shqipërinë ta zgjidhë këtë problem madhor të demokracisë që nuk e lë Shqipërinë të ngrejë kokë prej 20 vitesh. Data 18 qershor nuk ka ndonjë rëndësi shumë të madhe. Vendimtare është të bëjmë zgjedhje plotësisht të lira e të ndershme dhe të pakontestuara edhe po qe se na duhet t’i shtyjmë për në vjeshtë.

Dhe së fundi, dëshiroj t’ju drejtohem edhe një herë Lulzim Bashës dhe Edi Ramës që të kërkojnë ndjesë publike për krimet elektorale që kanë kryer ndër vite Partia Demoktratike dhe Partia Socialiste, të cilat, të dyja vjedhin, manipulojnë, blejnë dhe trafikojnë vota.

Në qershor të vitin 2013 i thirra në takim drejtuesit e Partisë Socialiste në Sarandë dhe ju kërkova që të përgatiteshin për të mbrojtur çdo votë nga vjedhja, manipulimi apo trafikimi. Feruz Basho më thotë aty për aty: Shef, mos u shqetëso për votat këtej. Mendoni për andej lart, nga Shqipëria e mesme dhe nga veriu ju se këtej poshtë nuk na i vjedhin dot ata të PD-së, këtej ju a vjedhim ne atyre. I mblodha gjithë drejtuesit, komisionerët dhe numëruesit dhe ju deklarova se po u prek një votë e aleatëve të koalicioni tonë, kjo është tradhëti ndaj koalicionit dhe ndaj Partisë Socialiste. Po u prek një votë e opozitës kjo do të konsiderohet si tradhëti ndaj Atdheut! Ja dolëm me shumë sforco të bënim një proces të ndershëm. Nuk dinim nga të ruheshim më parë.

Kriza aktuale nuk është thjeshtë krizë e Partisë Demokratike, është krizë e shkaktuar nga fakti se në Shqipëri nuk bëhen zgjedhje të lira e të ndershme. Prandaj kjo është krizë politike dhe institucionale e mirëfilltë me pasoja të rënda në jetën e vendit. Nga mënyra se si do zgjidhet kjo krizë do të varet paqja dhe stabiliteti afatgjatë e Shqipërisë. Duhet bërë ç’është e mundur që të zgjidhet një herë e përgjithmonë problemi i zgjedhjeve të lira e të ndershme, me standarde të njëjta si në demokracitë më të zhvilluara.

Reforma Zgjedhore është mëma e të gjitha reformave. Sot nuk ka asgjë më të rëndësishme në axhendën politike të vendit se sa reforma zgjedhore, pastrimi i zgjedhjeve dhe zgjidhja e krizës. PS-ja është duke e humbur shansin që të udhëhiqte procesin e reformës zgjedhore dhe ta çonte vendin në zgjedhje të lira e të ndershme.
Asnjë manovër nuk e zgjidh këtë krizë. Asnjë artificë nuk bën punë. Duhet konsensus me opozitën. Të bëhet reforma zgjedhore, të vendoset votimi dhe numërimi elektronik, të departizohet administrata zgjedhore, të përmirësohet legjislacioni për mbrojtjen e pastërtisë dhe integritetit të zgjedhjeve, të caktohet një datë e re e zgjedhjeve për në tetor dhe të vendoset një qeveri e të majtës së bashkuar që i jep besim opozitës. Me këtë kompromis opozita të kthehet në parlament dhe të vazhdojë puna për zgjedhjen e presidentit dhe për reformat e tjera.

Këto nuk duhen bërë vetëm për dakordësi me Partinë Demokratike, as thjesht për të kapërcyer krizën e rëndësishme. Kjo formulë është artikuluar për herë të parë nga “Zgjidhja” si e vetmja mënyrë për t’i dhënë fund qeverisjes nga rregjimet e urryera hibride antidemokratike, antipopullore dhe antikombëtare që kanë sunduar vendin këto 26 vite dhe për t’i hapur popullit tonë rrugën e demokracisë, lirisë, prosperitetit dhe mirëqenies, për të ndërtuar përfundimisht shtetin modern në Shqipëri.
Socialistët dhe qytetarët e thjeshtë nuk i duan zgjedhjet e manipuluara. Ata duan zgjedhje të lira e të ndershme. Ne e bëjmë këtë luftë për këta socialistë e qytetarë të thjeshtë dhe për faktin se pa zgjedhje të lira e të ndershme nuk do ketë as shtet modern shqiptar dhe as zhvillim. Por unë këtu dua të deklaroj se këtë luftë do e bëjmë me të njëjtën vendosmëri edhe në mbështetje të kërkesave të drejta të vëllezërve dhe motrave tona, anëtarë e simpatizantë të thjeshtë të Partisë Demokratike sepse jemi të sigurtë se ashtu si socialistët e ndershëm të bazës ata as nuk kanë përgjegjësi dhe as nuk kanë përfituar nga krimet elektorale të Partisë Demokratike në të shkuarën. Kërkesat e anëtarëve të thjeshtë të Partisë Demokratike për zgjedhje të lira e të ndershme janë të drejta dhe gëzojnë mbështetjen e socialistëve dhe të qytetarëve të thjeshtë të Shqipërisë, gëzojnë mbështetjen e anëtarëve të “Zgjidhjes”. “Zgjidhja” qëndron në pararojë të të gjitha formacioneve politike shqiptare që luftojnë për zgjedhje të lira e të ndershme. Mos u shqetësoni. Mos u manipuloni. Mos u turbulloni. Ka ardhur ora e ndryshimeve të mëdha. Po vjen koha e përmbysjeve të mëdha. Pas instalimit të zgjedhjeve të lira e të ndershme do shembim partitokracinë. Do i rrëzojmë dhe shembim pa mëshirë kryetarët që na përdorën, na mashtruan, na vodhën, na përbuzën, na shkelën, na prenë në besë e na rraskapitën në mjerim.

0
“ZGJIDHJA do të vendosë demokracinë dhe do të rindërtojë të majtën moderne”

“ZGJIDHJA do të vendosë demokracinë dhe do të rindërtojë të majtën moderne”

Drejtuesi i lëvizjes “Zgjidhja”, Koço Kokëdhima, i ftuar në emisionin “Komiteti” që transmetohet në RTV Dukagjini në Kosovë, iu përgjigj pyetjeve të gazetarit Berat Buzhala për krizën politike, lëvizjen ZGJIDHJA dhe marrëdhëniet mes Shqipërisë e Kosovës. I pyetur për lëvizjen politike që ai drejton, Kokëdhima tha se ajo lindi si korrent brenda PS­së, për të vazhduar projektin e nisur për demokratizimin e PS­së dhe të partive të tjera politike në Shqipëri. Kokëdhima tha se misioni i lëvizjes “Zgjidhja” është shembja e partitokracisë, reformimi i sistemit politik, vendosja e de

Berat Buzhala: Z.Kokëdhima, çfarë është ”Zgjidhja”?

Koço Kokëdhima: Së pari dua t’ju komplimentoj për gazetën “Exspress”, të cilën unë e ndjek. Është një gazetë shumë e mirë me hapësirë të madhe të pasqyrimit të lajmeve, me një staf të rinjsh, por shumë të kualifikuar. Tani, të kthehem te “Zgjidhja”.

Berat Buzhala: Po, a ka zgjidhje në Shqipëri?

Koço Kokëdhima: “Zgjidhja” lindi si një korrent politik në Partinë Socialiste me qëllim që të vazhdonte në një formë tjetër përpjekjet që unë kisha zhvilluar brenda mureve të partisë dhe nga lart për demokratizimin e Partisë Socialiste, të partive politike dhe qeverisjes së vendit. Por, kjo u bë e pamundur që të zhvillohej, siç e zhvillova në vitet e mëparshme, 2013-2015. Atëherë e kalova në një formë tjetër këtë përpjekje, në korrentin politik “Zgjidhja”, e cila ka një mision shumë të rëndësishëm. Në vitin 1990-1991 në Shqipëri u vendos pluralizmi politik. Në fakt, shqiptarët besonin se kishin vendosur demokracinë kushtetuese dhe besonin se Shqipëria tashmë do të ishte një vend demokratik, por, pas 26 vitesh, rezultoi që shqiptarët kishin vendosur pluralizmin politik, por jo demokracinë. Në këto vite të tranzicionit tashmë është shumë e qartë për të gjithë se regjimi që sundon nuk është një regjim demokratik dhe sistemi politik nuk është një demokraci kushtetuese e mirëfilltë që garanton të drejtat e njerëzve. Këtu sundon një regjim që unë e quaj partitokracia shqiptare, e cila e ka shkatërruar thellësisht nivelin e lirive politike, lirinë e konkurrencës, konkurrencën e ndershme dhe të lirë si në politikë dhe ekonomi dhe ka cenuar rëndë standardet e partive politike. Nuk kemi më parti politike në Shqipëri, por kemi regres, sepse partitë politike janë kthyer në bashkësi parapolitike. Në Partinë Socialiste mund të them se tani qeveriset pa institucione, pa rregulla, pa një kulturë funksionale, pa standarde dhe kështu që, një parti që qeveris vendin, kur nuk është demokratike vetë nuk mund të prodhojë as demokraci për vendin.

Berat Buzhala: Pra, ju “Zgjidhjen” e nisët si fraksion edhe brenda strukturave kur ishit deputet?

Koço Kokëdhima: Jo, nuk e nisa si fraksion. Në fillim unë e nisa reformimin e Partinë Socialiste brenda duke debatuar në forumet e larta të partisë dhe duke u përpjekur që të marr mbështetje për ta reformuar. Paraqita një projekt të plotë për këtë dhe u pranua që të zbatohej ky projekt pilot në rajonin Vlorë-Gjirokastër.Ky reformim kishte armiqësi dhe kundërshtime shumë të thella brenda Partisë Socialiste dhe brenda lidershipit të saj. Në këto kushte, kur u godit mandati im si deputet dhe unë u largova nga grupi parlamentar, dhe u largova besoj në një masë të madhe për këtë arsye, sepse duhej goditur pikërisht reformimi i Partisë Socialiste, atëherë unë e ktheva këtë në një fraksion për ta zhvilluar me një energji tjetër nga poshtë.

Berat Buzhala: Pra, ju vazhdoni të jeni në Partinë Socialiste?

Koço Kokëdhima: Sigurisht.

Berat Buzhala: Mirëpo, në Vlorë ju penguan. Një përkrahësi tuaj, zyrtar i lartë në Vlorë, iu realizua një puç së fundmi nga Partia Socialiste…

Koço Kokëdhima: Ajo ngjarje që u prezantua në media, po të ndiqet, në fakt, është me shumë rëndësi sepse tregon gjendjen e vërtetë të qeverisjes në Shqipëri. Ajo tregon mentalitetin e vërtetë që ka Edi Rama dhe pasuesit e tij dhe se sa të rrezikuara janë të gjitha standardet dhe niveli i ligjshmërisë në institucionet e Shqipërisë. Ajo tregon pse kjo qeveri nuk bën dot zgjedhje, kur atje me 15 njerëz nuk mund të pranojë një votim të lirë, të ndershëm dhe të fshehtë. Ato fletët e votimit janë të gjitha njëra me katror, tjetra ka yll, tjetra ka thonjëza, tjetra ka një gomar etj. Janë shenjat që janë detyruar ata 15 votues, që janë 5 kryetarë bashke dhe 10 këshilltarë të nivelit të lartë, janë detyruar të bëjnë një shenjë që i është thënë nga udhëheqja me qëllim që të kontrollohet vota. Është një manipulim aq i ashpër që 15 njerëz të nivelit të latë, të përdoren si skllevër, të mos iu besohet dot fshehtësia e votës së tyre. Është një gjë me të vërtetë e tmerrshme. Përtej pamjes që mund të shohë çdo shqiptar, sepse ka shumë filmime nga ajo ngjarje, aty sheh atë lloj përdhunimi që bëhet në një proces normal votimi. Nuk çohet një mocion me gojë, nuk i jepet 10 ditë afat këtij mocioni që pala tjetër të përgatitet dhe të ketë reflektime. Bëhet një votim krejtësisht i manipuluar në kundërshtim me kushtetutën. Neglizhohet e drejta e personit që të marrë pjesë, të shohë votën, sepse është fjala për t’u shkarkuar. Ai duhet të kishte një anëtar të tij në komisionin e votimit. Dy t’i kishin mocionistët, një ta kishte ai. Ai kishte të drejtë të ishte edhe në komisionin e shqyrtimit të votave, mirëpo aty nuk e linin as të shihte votën. Në mënyrë të hapur kamerat panë një fletë votimi që ishte krejt e pavlefshme, pavarësisht se të tjerat ishin të manipuluara dhe ky proces është një dëshmi e gjendjes së qeverisjes antidemokratike që sundon në Tiranë. Kryetari i qarkut të Vlorës manifestoi një qëndrim si shqiponjë. Katër orë e gjysmë ai përballoi debatin dhe sjelljen e atyre njerëzve që s’kanë asnjë lloj lidhje as me të drejtën dhe as me ligjin. Kështu që, puna që ka bërë ky anëtar i “Zgjidhjes” ka qenë shembullore si kryetar qarku. Ai është një sipërmarrës dhe ka një kompani shumë të mirë, që është me shumë reputacion në telekomunikacion. Ka një familje të shkëlqyer. Ka dy fëmijë fantastikë. Djali i tij është 15 vjeç. Mban 10 rekorde kombëtare të notit në Shqipëri. Tani ai është në një shkollë më Florida dhe besoj se do të bëhet një notar me famë botërore. Ka bërë një punë fantastike në qarkun e Vlorës dhe këta e shkarkojnë vetëm për një arsye. Vetëm sepse ai përkrah idetë e “Zgjidhjes” për reformimin e sistemit politik të kalbur në Shqipëri dhe për vendosjen e sistemit demokratik në Shqipëri.

Berat Buzhala: A ishte mesazh ndaj të tjerëve, pra potencialisht ndaj përkrahësve të tjerë?

Koço Kokëdhima: Nuk është i vetmi rast ky. Unë kam denoncuar në shumë fjalime dhunën e verbër që gjithë qeveria ka bërë ndaj gjithë drejtuesve të lëvizjes “Zgjidhja”. Të gjithë i ka pushuar nga puna.

Berat Buzhala: Pra, ju keni rrjet në gjithë Shqipërinë si lëvizje?

Koço Kokëdhima: Po, sigurisht. Ka rrjet, ka struktura. “Zgjidhja” po shkon në 20 mijë anëtarë këto ditë, anëtarë të lëvizjes, jo thjesht mbështetës, që janë në databazat tona. Misionin e “Zgjidhjes” mund ta them kështu: Është shembja e partiokracisë, reformimi i sistemit politik, vendosja e demokracisë në Shqipëri dhe rindërtimi i të majtës moderne.

Berat Buzhala: Javën e kaluar, ishte iniciativa juaj apo e z. Basha për takim?

Koço Kokëdhima: Ishte ftesë e Partisë Demokratike.

Berat Buzhala: Ju keni qenë kritik i thekur, i ashpër i Partisë Demokratike.

Koço Kokëdhima: Kam qenë dhe mbetem.

Berat Buzhala: A keni besuar se do të vijë ditë kur do ta bëni një aleancë me një parti që s’e keni pasur shumë për zemër dhe do të bashkoni forcën për atë që ju e thoni, për rindërtimin dhe krijimin e demokracisë në Shqipëri?

Koço Kokëdhima: Kam qenë gjithmonë mendjehapur. Dhe nuk e imagjinoj dot se si mund të mos bashkëpunojmë mes shqiptarëve. Unë kam qenë, jam dhe do të jem gjithmonë i hapur për të bashkëpunuar me të gjithë partitë politike të Shqipërisë dhe me të gjithë politikanët dhe qytetarët e këtij vendi, përfshirë edhe Sali Berishën. Dhe nuk kam asnjë paragjykim për këtë çështje.

Berat Buzhala: Mirëpo, z. Berisha kur ka qenë në pushtet nuk është sjellë mirë me ju?

Koço Kokëdhima: S’ka rëndësi kjo. Ai është sjellë siç e ka menduar ai. Mua nuk më prish punë se si sillet tjetri. Mua më prish punë kur sillem vetë jo mirë. Pra, bashkëpunimin e shikoj si një përgjegjësi që kemi me të gjithë faktorët shqiptarë dhe s’kam asnjë paragjykim për këtë çështje.

Berat Buzhala: Ju i kërkuat z. Basha të largohet nga krimet e partisë së tij në të kaluarën?

Koço Kokëdhima: Po. Është e qartë që për çështjet e zgjedhjeve, përgjegjësinë e parë në Shqipëri e ka Partia Demokratike. Sepse ajo e filloi manipulimin e zgjedhjeve në vitin 1994, me zgjedhjet e pjesshme, pastaj në zgjedhjet e përgjithshme në vitin 1996 e bëri sistem këtë punë. Krahu tjetër, e majta nuk u distancua nga kjo gjë, por u bë pjesë e vjedhjes së zgjedhjeve. Sot, janë të dy palët, dy partitë e mëdha që njësoj vjedhin, trafikojnë dhe manipulojnë zgjedhjet në Shqipëri. Dhe ky është problemi i parë i rëndë që ka Shqipëria. Pa zgjidhur çështjen e zgjedhjeve nuk mund të pretendojmë rezultate.

Berat Buzhala: A është i përgjegjshëm z. Basha? A e ka parasysh që partia e tij ka përgjegjësi për këtë sistem që është në Shqipëri?

Koço Kokëdhima: Unë nuk dua që të as të përgjigjem për të dhe as të bëj paragjykime për të. Një gjë që unë e pres akoma prej tij është që dëshiroj që z. Basha të distancohet nga krimet elektorale të Partisë Demokratike në vite, ashtu siç dëshiroj që z. Basha të heqë dorë dhe të shprehet publikisht që heq dorë nga e drejta e padrejtë që kanë përfituar dy partitë e mëdha për të administruar zgjedhjet në Shqipëri. Pra, administrata zgjedhore duhet të departizohet. Dhe në takimin që bëmë ishte një pikë që e diskutuam, sepse unë i kërkova që administrata e zgjedhjeve të jetë shtetërore si në çdo vend tjetër. S’ka asnjë vend në botë ku 2 ose 4 parti të administrojnë zgjedhjet. I administrojnë komisionet shtetërore. Z. Basha tha se në kushtet kur bëhet votimi dhe numërimi elektronik mund të besojmë se krijohen kushtet për të hequr dorë nga ky pretendim. Kështu që, shpresoj që këtë gjë ai ta bëjë. Të njëjtën gjë i kam kërkuar edhe Ramës. Haptazi dhe publikisht i kam thënë: distancohu nga krimet elektorale të Partisë Socialiste që ti ke udhëhequr.

Berat Buzhala: Këtë e keni kërkuar edhe kur keni qenë në strukturat e Partinë Socialiste?

Koço Kokëdhima: Në strukturat e Partisë Socialiste unë kam bërë një luftë jashtëzakonisht të madhe për mendësinë e respektimit të çdo vote si të shenjtë dhe pse në lidershipin e Partisë Socialiste mendësia për votën është njësoj siç mendësia e Berishës për votën. Unë kam bërë një punë dhe sjellje shembullore për këtë çështje në atë zonë që kam pasur kompetenca, pra, në zonën time elektorale, ku unë isha drejtues politik. Zgjedhjet i kam zhvilluar në mënyrë perfekte përsa i përket kompetencave të atjeshme dhe këtë e kanë konfirmuar të gjithë kundërshtarët.

Berat Buzhala: Kur ka qenë momenti që ju e keni vërejtur që ndoshta z. Rama nuk është ai që keni menduar në fillim, kur bashkëpunuar me të?

Koço Kokëdhima: Unë e gjykoj z. Rama jo në mënyrë personale, pro gjykoj sjelljet e tij në pushtet. Dhe unë nuk kam qenë më parë në politikë. Kam ardhur në vitin 2013. Më parë e kam përcjellë politikën nga jashtë si një njeri i interesuar dhe botues. Por, nuk kam qenë kurrë i përfshirë në struktura dhe s’kam pasur kurrë një informacion të detajuar për zhvillimin e gjërave. Por, në këto tre vite që shkova në politikë edhe vajta rastësisht, bëra mirë që vajta.

Berat Buzhala: Pra, nuk jeni penduar?

Koço Kokëdhima: Jo, aspak. Bëra shumë mirë, sepse nuk do e kisha njohur kurrë të vërtetën e vendit tim, nëse nuk do kisha bërë këtë devijim të karrierës sime dhe atje unë konstatova një situatë të tmerrshme dhe se sa rëndë është Shqipëria. U përpoqa që ta ndryshojmë gjendjen dhe jo për të bërë zhurmë, por rezultat. Kjo përpjekje që unë bëra sigurisht që dha rezultate në atë territor ku unë punova. Pati debate në Partinë Socialiste, por në fund fare rezultoi një dështim, sepse ajo nuk adoptua si një reformë që do të prekte Partinë Socialiste dhe gjithë partitë politike në vend, që standardet e tyre të jenë si standarde moderne të partive në vendet moderne dhe demokratike në Europë. Kështu që unë këtë gjykim bëj për Ramën, bëj gjykimin e tij, në ushtrimin e pushtetit. Rama ka qenë një bisedues dhe dëgjues shumë i mirë. Besoja se ai kishte respekt të veçantë për sipërmarrësit e vendit. Besoja që ishte mendjehapur për të dëgjuar njerëzit dhe për të përfaqësuar interesat e tyre në pushtet. Por, në pushtet, Rama nuk sillet si shërbëtor i njerëzve, por sillet si sundimtar. Ai ka ndjekur modelet më të këqija të drejtimit të pushtetit në Shqipëri. Më vjen shumë keq për këtë gjë. Kjo është e vërteta.

Berat Buzhala: A jeni dëshpëruar me të?

Koço Kokëdhima: Mua nuk më pëlqejnë këto sjellje, nuk është se më bëjnë ndonjë ndjenjë pozitive. Vetë si natyrë nuk jam i tillë që të akumuloj negativitetin. Pavarësisht, i konsideroj njerëzit, njerëz si veten time. Jemi të gjithë mëkatarë që udhëtojmë një copë herë këtu në viset tona dhe nuk i mendoj si Mesia, të përsosur. Normale që të gjithë kanë probleme, por nuk do më pengojë asnjë lloj vlerësimi, pozitiv apo negativ, në përpjekjet e mia për t’i hapur rrugë këtij reformimi.

Berat Buzhala: Pra, ju po aludoni që iniciativa juaj për demokratizimin e Partinë Socialiste fillimisht dhe pastaj kjo të shpërndahej në gjithë partitë e tjera ishte arsyeja kryesore pse ndaj jush filloi edhe një lloj hakmarrje politike?

Koço Kokëdhima: Unë mendoj që në Partinë Socialiste, e kam thënë mund të jetë edhe në partitë e tjera kështu, por në Partinë Socialiste nuk ka kulturë solidariteti. Është një mjedis shumë i keq, ku sundon intriga, thashethemet, thikat pas shpine dhe pabesitë. Është një klimë ku njerëzit nuk mendojnë për punë, por si të dominojnë njeri-tjetrin. Nuk mendojnë si të bëjnë më shumë ekonomi, më shumë prodhim, më shumë eksporte, si të bëjnë më shumë vende pune etj, etj. Është shumë e keqe klima që sundon. Kështu që, lufta që ekziston atje, shpesh herë përmes instrumenteve qeveritarë dhe pushtetit zhvillohet edhe jashtë partisë dhe goditja e mandatit tim ishte një vazhdim i luftës politike që zhvillohej brenda partisë, por tani me mjete dhe instrumente të tjera nga jashtë partisë siç ishte gjykata.

Berat Buzhala: A e dinit ju që po zhvillohej diçka e tillë?

Koço Kokëdhima: Unë besoj që isha në dijeni që po zhvillohej. E kisha kuptuar që po ndodhte.

Berat Buzhala: A u befasove?

Koço Kokëdhima: Është e papranueshme për natyrën time kjo. Natyra ime nuk i përtyp dot këto gjëra. Unë jam një person biznesi dhe biznesi e konsideron të shenjtë transparencën e marrëdhënies dhe fjalën. Kështu që këto gjëra janë jashtë natyrës sime, veprime dhe sjellje të tilla të politikanëve.

Berat Buzhala: Pas kësaj, do të pranonit të bashkëpunonit prapë me Ramën?

Sigurisht. S’kam asnjë problem.

Berat Buzhala: Brenda Partinë Socialiste?

Koço Kokëdhima: Për mua thelbësore është që punojmë për vendin, për popullin tonë, për qytetarët. Nuk punojmë thjesht për partinë, pavarësisht se është e drejta jonë që të bëjmë pjesë në një shumicë politike dhe të punojmë edhe për qëllimet e shumicës politike. Por, unë nuk do i ngatërroj kurrë prioritetet. Do t’i qëndroj besnik kauzave kombëtare dhe kauzave popullore. Për këto çështje të vendit do t’i kushtoj edhe energjitë e mia në politikë.

Berat Buzhala: Zgjedhjet janë një muaj e gjysmë larg. A besoni se do të mbahen më 18 qershor?

Koço Kokëdhima: Nuk ka për t’u bërë zgjedhje pa opozitën. Ky sistem që ne kemi është shumëpartiak dhe ideja perverse se mundet dikush ta zëvendësojë opozitën reale me opozitë të sajuar është shumë e rrezikshme që thjesht sjell, ndjell, gjëra shumë të këqija për vendin. Për Shqipërinë, ashtu si edhe për Kosovën, gjëja më e rëndësishme është stabiliteti dhe nga mungesa e stabilitetit na vijnë shumë të këqija. Paqja dhe stabiliteti janë gjërat më të rëndësishme për ne, dhe në Shqipëri, paqja dhe stabiliteti, jo vetëm që rrezikohen, por hidhen në erë nga ideja se mund të bëhen zgjedhje pa opozitën. Kjo është ta çosh vendin në destabilizim dhe në luftë dhe të prodhosh viktima. Nuk është e gatshme Shqipëria të bëjë luftë për karrigen e Edi Ramës dhe 5 ministrave të tij. Nuk është e gatshme Shqipëria të sakrifikojë asnjë pulë, jo më të sakrifikojë jetë njerëzish për interesa të tilla. E kam thënë shumë herë se gjithë këmbëngulja që bën Rama se do të bëjë zgjedhje pa opozitën është një dëm shumë i rëndë që i bën edhe vendit, por edhe Partisë Socialiste. I bën dëm të madh Partisë Socialiste sepse e lë të papërgatitur për këtë situatë dhe për situatat që po vijnë, pa strategji, pa vizion dhe Shqipërisë i humb shumë kohë. Zgjedhjet do të bëhen vetëm me opozitën. Bëhen zgjedhjet me opozitën në 18 qershor apo jo, për këtë çështje nuk mund të përgjigjem unë, për këtë çështje përgjigjet kryetari i opozitës. Ai kryetari i opozitës e deklaron këtë gjë dhe thotë: po unë do shkoj në 18 qershor. Nëse opozita nuk shkon në zgjedhje në 18 qershor, Shqipëria nuk do të shkojë në zgjedhje. Kjo është bindja ime absolute. Dhe unë edhe po të kem një parti, unë kurrë nuk shkoj në zgjedhje pa opozitën. Kurrë! Ashtu siç nuk do shkoja kurrë në zgjedhje edhe nëse do ishte krahu tjetër jashtë zgjedhjeve. Prandaj, për të zgjidhur krizën në Shqipëri duhet t’i ikim këtij lloj debati, duhet t’i ikim kësaj qasje dhe Edi Rama duhet të ulet menjëherë me opozitën. Duhet të ulen dhe duhet të bien dakord e para për reformën zgjedhore sepse 4 vjet ka qeveria e Edi Ramës që qeverisë vendin dhe 4 vjet është kohë e mjaftueshme që të bëhej një reformë zgjedhore që të garantojë zgjedhje me standarde si në çdo vend tjetër demokratik të Evropës. Për këtë çështje është e domosdoshme që votimi dhe numërimi të jetë elektronik.

Berat Buzhala: Ju po insistoni që zgjedhjet e ardhshme votimi dhe numërimi të jenë elektronik?

Koço Kokëdhima: Padyshim!

Berat Buzhala: Por a mund të arrihet kjo deri më 18 qershor?

Koço Kokëdhima: 18 qershori nuk është aq i rëndësishëm. I rëndësishëm është procesi i votimit. Votimi duhet të jetë i ndershëm, i drejtë, i pakontestueshëm, përfundimisht i pranueshëm si i pastër dhe të besohet si i tillë. Atëherë Shqipëria bën një hap të madh përpara drejt vendosjes së demokracisë, kur të mos preket asnjë votë, nuk do të manipulohet asnjë votë dhe kur nuk do t’i shkojë mendja kurrë qeverisë se mund të manipulojë vota, qoftë në mënyrat më vulgare të manipulimit dhe të vjedhjes së votave që janë parë në fillimet e këtij procesi, në ‘94 dhe në ’96, deri tek ato manipulimet më të sofistikuara siç ishin manipulimet në votimet e këshillit të Qarkut të Vlorës, ku kjo qeveri, me një nga ministrat e saj më të rëndësishëm, me 3-4 deputetë në sallë, me kryeministrin në telefon, udhëhoqën këtë proces të manipuluar që nuk kishte ndonjë vlerë, asnjë rëndësi. Duhet të eleminojmë të gjithë këto lloj formash të manipulimit të votave në Shqipëri. E dyta, Edi Rama së bashku me Lulzim Bashën duhet të heqin dorë përfundimisht nga administrimi i zgjedhjeve sepse të dy këto parti janë parti të diskredituara në menaxhimin e zgjedhjeve në Shqipëri. Ata duhet të heqin dorë nga administrata zgjedhore dhe administrata të jetë shtetërore me shumë më pak në numër, ku të jenë gjykatës, prokurorë, noterë, studentë të ekselencës të fakulteteve të juridikut, pedagogë universitetesh, mësues, pra një administratë sa 1/3 e administratës së sotme dhe gjithë energjitë të partive politike duhet të investohen në edukim, në vëzhgim, monitorim dhe në bashkëbisedimin me elektoratin.

Berat Buzhala: Zoti Kokëdhima kur besoni se duhet të bëhen zgjedhjet? A mendoni se pikat që parashtruat më sipër mund të realizohen deri më 18 qershor?

Koço Kokëdhima: Mendoj se për të bërë një sistem të plotë të menaxhimit perfekt të zgjedhjeve, me gjithë teknologjinë dhe me gjithë trajnimin nevojiten 4 muaj. Kështu që mendoj se reforma zgjedhore, që duhet të finalizojë një vendim të tillë, do të marrë 4 muaj kohë për implementimin, kështu që fundi i tetorit besoj se do të jetë koha optimale për të bërë zgjedhjet. Ka shembuj plotë në botë që tregojnë se kjo është një gjë plotësisht e mundshme. Po të kishte pasur vullnet kjo qeveri për t’i bërë zgjedhjet e pastra do e kishte marrë këtë vendim një vit me parë dhe do të ishte çdo gjë perfekt dhe gati sot. Vitin e kaluar zgjedhjet elektronike i bënë Filipinet. 55 milionë votues, për katër ditë u shpërndanë makinat në të gjithë vendin dhe bëri zgjedhje shembullore. Mori pjesë 86 për qind e popullsisë. Ka shumë shembuj në botë, teknologjia ka bërë shumë avancime dhe me më pak para mund të bëjmë një sistem absolutisht të besueshëm në Shqipëri, për 5 mijë qendra votimi që kemi dhe mund të bëjmë zgjedhje perfekte.

Berat Buzhala: Gjatë kësaj kohe a mendoni se duhet të ketë, zoti Meta e quajti “Qeveri besimi”, Basha e quan “Qeveri teknike” për t’u menaxhuar procesi deri në atë kohë?

Koço Kokëdhima: Unë e kam propozuar një qeveri të shumicës së majtë, por një qeveri e shumicës së majtë që i jep besim opozitës. Kështu e kam parë unë si të mundshme jo se unë e përjashtoj një marrëveshje tjetër për qeveri teknike me të gjitha palët. Unë e kam paraparë se e majta ka potenciale, ka mundësi dhe e meritonte një shans që të mbante iniciativën e zgjedhjeve të lira dhe t’i organizonte zgjedhjet e lira dhe të besueshme. Këtë gjë unë si i majtë do të doja që ta bënte e majta.

Berat Buzhala: Ju jeni kundër që kjo qeveri në gjendjen që është tani ta çojë vendin në zgjedhje?

Koço Kokëdhima: Nuk mund të bëjë zgjedhje të ndershme, të lira dhe të drejta z. Rama.

Berat Buzhala: Kjo është përfundimtare?

Koço Kokëdhima: Unë nuk kam besim që ai mund të bëjë zgjedhje të drejta.

Berat Buzhala: Ju keni biseduar me zotin Meta, a keni harmoni se si e shihni rrugën për të dalë nga kriza? Zoti Meta duke qenë në koalicion nuk është shumë miqësor me zotin Rama në prononcimet e tij të fundit.

Koço Kokëdhima: Unë kam biseduar me të gjithë palët dhe pikëpamjet e mia i kam shprehur krejtësisht nëpër fjalimet e mia. Mua më intereson një gjë, që zgjedhje pa opozitën nuk mund të bëhen. Kjo është themelore për popullin tonë, për shqiptarët kudo që janë, që zgjedhjet bëhen me opozitën dhe zgjedhjet gjenerojnë paqe, stabilitet dhe standarde të padiskutueshme. Duhet të marrë fund historia që i cilëson zgjedhjet e shqiptarëve me probleme, por të pranueshme. Kjo histori është shumë e shëmtuar dhe duhet të ikë përgjithmonë. Zgjedhjet e shqiptarëve duhet të jenë siç janë zgjedhjet për Bashkimin Europian, siç janë për presidentin e Amerikës, siç janë për presidentin e Francës, siç janë zgjedhjet më të mira në botë. Nuk ka asnjë arsye që shqiptarët të pranojnë zgjedhje inferiore. Kjo histori duhet të marrë fund një herë e përgjithmonë dhe ky është hapi i parë drejt pastrimit të sistemit politik në Shqipëri nga gjithë ky kalbëzim dhe nga gjithë ky korrupsion.

Berat Buzhala: Një çështje tjetër që pret tek dera është zgjedhja e presidentit të vendit. A keni opsion, ide se si zgjidhet kjo? A do të zgjidhet presidenti para zgjedhjeve apo pas zgjedhjeve?

Koço Kokëdhima: Unë kam bërë një përcaktim për këtë çështje, kam thënë që ose do të dështojë zgjedhja e presidentit, ose do të jetë zgjedhje e kontestueshme në kushtet në të cilat jemi tani. Normaliteti e bën një proces të drejtë, e bën një proces të mirëpranuar, edhe zgjedhjen e Presidentit. Kjo situatë krize kur opozita është jashtë parlamentit, kjo situatë konfliktuale nuk është një situatë që prodhon vendimmarrje të pakontestueshme. Unë dëshiroj që të bëhet konsensusi me opozitën për krizën, të kthehet opozita në parlament, debati të vazhdojë në Parlament dhe në normalitet të zgjidhet edhe presidenti etj.

Berat Buzhala: Sipas jush Presidenti nuk duhet të zgjidhet pa një paketë të gjerë, në mënyrë unilaterale nga PS-ja?

Koço Kokëdhima: Mendoj që situata politike është në një krizë të qartë dhe përpara se të zgjidhim krizën mendoj se nuk duhet të bëhen hapa të tjerë. Kriza është e mundshme të zgjidhet në një ditë, është e domosdoshme dhe dy pika janë këto: reforma zgjedhore dhe një qeveri besimi. Të dyja i ka në dorë qeveria. Qeveria nuk duhet të jetë problemi, duhet të jetë zgjidhja. Qeveria duhet të shkojë të merret vesh me opozitën dhe të zgjidhim përfundimisht problemin e zgjedhjeve në Shqipëri.

Berat Buzhala: Cili është roli i ndërkombëtarëve aktualisht? A janë të paanshëm në ndërmjetësim?

Koço Kokëdhima: Unë lexova një deklaratë të një deputeti që e kishin ftuar të përfitonte nga mosparaqitja e PD-së në zgjedhje. Pra, ku këta të ashtuquajturit ndërkombëtarë i ftojnë partitë e vogla që të zëvendësojnë opozitën legjitime dhe këto janë veprime zjarrvënëse në Shqipëri. Këto janë veprime shumë të këqija, në dëm të Shqipërisë dhe këto role nuk duhet të luhen nga asnjë ndërkombëtar. Ndërkombëtarët duhet të bëjnë punët e tyre dhe nuk duhet t’i fusin duart në punët e Shqipërisë.
Berat Buzhala: PS po qeverisë vendin prej 4 vitesh. Si e konsideroni qeverisjen nën drejtimin e zotit Rama? A i ka plotësuar pritshmëritë tuaja?

Koço Kokëdhima: Ka punë të mira, ashtu siç ka edhe shumë probleme.

Berat Buzhala: Cilat janë punët e mira?

Koço Kokëdhima: E kam thënë edhe më parë, reforma territoriale është një punë që unë e kam pëlqyer shumë. Mendoj se është një reformë shumë e domosdoshme që u krye. Ashtu siç ka edhe shumë probleme. Pritshmëritë që kishte publiku nga ne ishin shumë të larta dhe zhgënjimi që ne kemi prodhuar është gjithashtu shumë i lartë. Kjo qeveri ka zhgënjyer në masë të madhe njerëzit kryesisht me sjelljet, me arrogancën, me korrupsionin dhe me mungesën e respektit për qytetarët e thjeshtë të Shqipërisë.

Berat Buzhala: A është kanabisi problem real apo është problem i stisuar nga opozita për të justifikuar shtyrjen e zgjedhjeve? Si mendoni ju, a janë zgjeruar fushat e mbjella me kanabis?

Koço Kokëdhima: Këtë temë e kam diskutuar shumë herë dhe nuk është çështja e diskuton opozita apo jo. Është një temë që e kam zhvilluar shumë, madje shumë më parë se opozita, kam qenë shumë i shqetësuar për këtë situatë që do të vinte. Kanabisi është një nga njollat më të errëta të qeverisjes së Shqipërisë. Nuk është çështja është shtuar apo jo kanabisi, as se është 5-fishuar apo 10-fishuar kanabisi. Shqipëria nën qeverinë e Edi Ramës u kanabizua. Kjo është e vërteta, por nuk është kjo gjëja më e keqe, gjëja më e keqe e kësaj historie është se, këtë kanabizim të Shqipërisë e bënë zyrtarët e lartë të kësaj qeverie. Ky është problemi dhe përfitimet më të mëdha të këtij trafiku të jashtëzakonshëm, të kësaj ekonomie kriminale të jashtëzakonshme, i akumuluan në duart e tyre pikërisht ky ekip zyrtarësh të lartë të shtetit dhe ky ekip ka bërë implikimin më të rëndë të qeverisjes sonë me kanabisin.

Berat Buzhala: Po thoni që ku është një kanabizim politik në kuptimin e qeverisjes?

Koço Kokëdhima: Kjo është e vërteta e Shqipërisë, e hidhur, por kjo është e vërteta. Në 2016-ën ka ndodhur fiks kështu dhe nuk është diçka që mund të mohohet.

Berat Buzhala: Ju keni rrjetin tuaj të njerëzve në Shqipëri, a mund të na përshkruani a janë rritur arat e mbjella me kanabis, a ka parcela më të mëdha që janë mbjellur me kanabis dhe nuk ndërhyhet për t’i shkatërruar ato?

Koço Kokëdhima: Kanabisi zhvillohej në njolla shumë të vogla në të shkuarën. Ishte Lazarati dhe pak në veri të Shkodrës. Por në vitin 2016, në mënyrë të njëkohshme, në të gjithë territorin e vendit, në të 61 bashkitë e vendit, u mboll kanabis me garancitë e Policisë së Shtetit. Pra, ti do t’i paguaje policisë së shtetit një tarifë 20-30 për qind të prodhimit dhe policia merrte përsipër që të garantonte ty që të mos ta shkatërronte kanabisin. Ky është një aksion kombëtar i njëhershëm, i organizuar, me të njëjtat tarifa.

Berat Buzhala: Produkti final i kanabisit transportohet në Itali dhe pastaj ato para dyshimi kryesor është se përdoren për blerjen e votave?

Koço Kokëdhima: Nuk ka dyshim në këtë çështje. Këtu ka një gjë shumë të thjeshtë. Ky fluks i madh i kësaj paraje të realizuar në rrugë kriminale sot është në gjendje të afektojë qeverinë, zgjedhjet, drejtësinë, mediat, të gjitha institucionet kushtetuese në Shqipëri dhe ky është një rrezik real se do të ndikojnë plotësisht edhe në zgjedhjet e këtij viti. Prandaj reforma zgjedhore do të minimizonte mundësitë që këto para kriminale dhe gjithë kriminelët e drogës të ndikojnë zgjedhjet, është e domosdoshme.

Berat Buzhala: Ideja është që votimi dhe numërimi elektronikë t’i reduktojë mundësitë?

Koço Kokëdhima: Bashkë me një paketë ligjore, me masa të tjera t’i reduktojë mundësitë e mafies së kanabisit të marrin zgjedhjet.

Berat Buzhala: A e kontrollon Rama këtë rrjet apo Ramën e kontrollon ky rrjet sipas jush?

Koço Kokëdhima: Unë flas gjithmonë politikisht dhe bëj dhe bëj diskutime politike. Kjo pyetje është investigative, jo politike. Nuk është në dijeninë time kjo gjë, nuk mund të them unë se çfarë ndodh konkretisht me Ramën, unë flas për përgjegjësi politike për Ramën.

Berat Buzhala: A do të merrni pjesë në zgjedhje si lëvizje? A do të merrni pjesë në kuadër të PS-së, apo si e shihni të ardhmen e lëvizjes “Zgjidhja”?

Koço Kokëdhima: Unë kisha besim tek drejtësia e çështjeve dhe kisha besim që “Zgjidhja” do të përfshihej dhe do të përfaqësohej në PS. Por Partia Socialiste dhe lidershipi i saj e kanë luftuar në mënyrën më brutale dhe më çnjerëzore çdo individ që ka përkrahur tezat tona. Ajo ngjarje që pamë me Sidrit Danajn në Vlorë është një pjesë shumë e vogël e gjithë atij represioni i pashembullt që kjo qeveri ka zhvilluar ndaj të njerëzve që kanë menduar ndryshe nga Edi Rama në Partinë Socialiste. Janë spastrime të tëra që i janë bërë njerëzve tanë që i godasin në bukën e gojës. Kjo tregon që këta nuk kanë për të lënë asnjë hapësirë që “Zgjidhja” të zhvillohet si korrent reformues brenda Partisë Socialiste. Mirëpo, tani nuk janë më 50 apo 100 njerëz, por janë mijëra njerëz që janë bashkuar në këto kauza dhe këta kanë të drejtën e natyrshme që të përfaqësohen dhe të shprehen politikisht. Çfarë do të bëj unë në këtë situatë? Nëse PS-ja nuk do të pranojë listën e kandidatëve tanë, ne do të gjejmë formë tjetër të shprehjes.

Berat Buzhala: Ju do t’i kërkoni që kandidatët tuaj të bëhen pjesë të listave të PS-së?

Koço Kokëdhima: Do t’ia propozojmë PS-së. Unë i kam kërkuar takim Ramës tani së fundmi. Ishte një ndërmjetës nga qeveria që para 10 ditësh ndërmjetësonte një mundësi bisedimesh mes meje dhe Ramës, por pas një interviste që bëra unë në Durrës, që mesa duket iu duk shumë e ashpër, ajo mundësi u anulua. Unë i kam kërkuar tani Ramës që të bisedoj me të, sepse dua që t’i shtrojë përfundimisht raportet e “Zgjidhjes” me të, për t’i dhënë përgjigje gjithë njerëzve tanë dhe shpresoj që të gjejmë një mënyrë komunikimi. Nëse nuk e gjemë fizikisht do e gjejmë mediatikisht dhe pastaj do të kemi zhvillime të tjera këtë muaj dhe do të marrim vendimet e duhura.

Berat Buzhala: Ju nuk do ta ndalni “Zgjidhjen” nëse nuk gjeni zgjidhje brenda PS-së?

Koço Kokëdhima: Nuk do ta ndalim. Është e domosdoshme që ta ndryshojmë situatën në Shqipëri.Duhet patjetër që Shqipëria të jetë një vend demokratik i mirëfilltë, një vend ku populli të jetë në fuqi. Shqipëria ka një sistem ky populli nuk ka asnjë rol, nuk zgjedh dot asnjë përfaqësues, nuk voton dot as në referendume lokale, nuk voton dot as në referendume kombëtare, nuk ka të drejtë as të propozojë dhe as të zgjedhë kandidatë për deputetë, kandidatë për kryetar bashkie, as kandidatë për këshillat bashkiakë, kandidatë për president, kryeministër etj. Populli është thjeshtë i shtypur, i nëpërkëmbur, i padëgjuar, i vjedhur dhe i rraskapitur. Ne duhet t’i japim vendin që meriton popullit. Në demokraci populli duhet t’i zgjedh përfaqësuesit e tij dhe pasi ta bëjë këtë, ata përfaqësues nuk mund ta tradhtojnë me lehtësi, por do t’i qëndrojnë besnikë popullit të vet.

Berat Buzhala: Oferta juaj është ose do të jeni me PS-në ose do të dilni si një alternativë e veçantë dhe nuk do të bëni koalicione të tjera ndërkohë?

Koço Kokëdhima: Është shumë herët që të flas për këtë çështje. Unë nuk i zhvilloj këto terma për këto zgjedhje. Nuk u nisa nga ideja e këtyre zgjedhjeve. U nisa për një lëvizje politike afatgjatë që duhet të ndryshojë disa gjëra.

Berat Buzhala: A jeni të kënaqur me ritmin e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kosovë, jo vetëm këto vite që qeverinë e ka e majta por edhe më herët? A ka një lloj shkrirje të tregut? Ju që merreni me biznes e keni një përshkrim më të qartë të ngjarjeve.

Koço Kokëdhima: Çlirimi i Kosovës është pritur me entuziazëm të madh nga çdo shqiptar dhe njerëzit e biznesit sigurisht që reagojnë pak më shpejt dhe mendja u shkon tek ekonomia. Tani që Kosova është e lirë dhe sovrane, në atë kuptim që ka statusi i saj sot dhe në atë shkallë pavarësie që ka sot, kjo është maksimumi historik dhe ne nuk e kemi pasur më parë këtë pozitë. Praktikisht kemi dy Shqipëri dhe përfitimi real i kësaj situate do të duhet të ishte një bashkëpunim i rëndësishëm ekonomik dhe një zhvillim i madh ekonomik. Edhe Kosova edhe Shqipëria janë dy vende shumë të varfra, dy më të varfrat e kontinentit dhe kjo është jo vetëm një gjë që lidhet me të shkuarën tonë por lidhet edhe me përgjegjësitë tona si punojmë ne tani. Duhet të punojmë shumë më mirë që vendet tona të pasurohen. Ata që pasurohen në fakt janë vetëm politikanët e korruptuar, por vendet tona nuk pasurohen nga viti në vit, nuk kanë krijuar një sistem të grumbullimit të pasurisë, as Shqipëria dhe as Kosova. Unë pajtohem me dëshirën dhe nevojën që ne ta shikojmë Shqipërinë dhe Kosovën si një treg jo vetëm se jemi një komb dhe jo vetëm si një komb që ndajmë të njëjtin kufi, pra kemi vazhdimësi territori, flasim një gjuhë, janë të gjitha familje të njohura, çdo familje kosovare ka një familje vëllazërore korresponduese në Shqipëri që u krijua që nga historia e luftës. I kemi të gjitha arsyet për ta parë hapësirën me Kosovën si një treg. Mirëpo këtu pengojnë, edhe mungesa e punës, aftësive, vullnetit dhe burokracia e institucioneve në të dyja anët e kufirit. Unë i kam mbështetur mbledhjet e përbashkëta të qeverive, mirëpo problemi është që ato nuk duhet të jenë mbledhje që thjeshtë i shërbejnë PR-it të kryeministrit ose të kryeministrave, por duhet që të jenë me gjëra konkrete. Integrimi i Shqipërisë dhe i Kosovës në ekonomi duhet bërë me një plan shumë serioz dhe shumë të qartë. Një gjë doja të theksoja unë, si Shqipëria dhe Kosova, veç e veç, por kryesisht në mënyrë të bashkuar duhet të zgjidhim një çështje, çështjen e ushqimit bazë për popullin. Kosova dhe Shqipëria, të dyja së bashku, duhet ta ushqejnë popullin shqiptar me ushqime të prodhuara brenda territorit tonë. Kjo është gjëja më e thjeshtë, më e mundshme dhe më e rëndësishme në bashkëpunimin mes ekonomive tona. Nëse nuk e bëjmë këtë, bëjmë shumë propagandë, por nuk bëjmë punë serioze. Ky do të ishte për mua një plan i qartë,i thellë, kompleks, me strategji që të kalkulohet çdo gjë dhe ushqimet bazë Shqipëria dhe Kosova nuk mund t’i importojnë. Shqipëria importon një miliard dollarë në një vit ushqim për popullin. Importon lloj-lloj gjërash ndërkohë që kemi kushte shumë të mira për të prodhuar ushqimet bazë për popullin tonë dhe jo vetëm për popullin, por edhe të eksportojmë. Kështu edhe ide të tjera ka plot, në sektorë të tjerë, por duhen njerëz që të punojnë,, duhet që qeveritë të flasin më pak dhe të punojnë shumë dhe të maten me rezultate konkrete në këtë drejtim.

 

0